Na ndiqni edhe në

Arkiv

Andi Bushati i pergjigjet Fatos Lubonjës

Andi Bushati i pergjigjet Fatos Lubonjës
Fatos Lubonja më përmendte sot në një shkrim të tij tek Panorama duke ngritur pyetjen: Pse nuk flet Bushati që foli për Laguna Blu, për një ndërtim që po ngrihet tek parku kombëtar, duke lënë shijen se jam selektiv në reagimet e mia ndaj mëkateve të pushtetit me biznesin.

Dua ta them që në fillim, jam kundër, kundër, kundër atij ndërtimi, çdo ndërtimi në park, madje dhe çdo lejeje në zonën brenda unazëz së madhe të kryeqytetit. Kam këmbëngulur dhe insistuar për këtë në fushatë sa herë jam përballur me Erion Velinë, kam insistuar disa herë për ti marrë atij premtimin, “se nuk do të keni asnjë firmën time për leje në këtë zonë” pa e ditur se këta në pushtet janë aq perversë sa nxjerrin Erionin në fushatë të bëjë premtime dhe më pas del në skenë maska i pangopur Edi Rama, që shpërndan pallate mbi 7 kate për pronarët e mediave.

Por duke theksuar se jam kundër atij ndërtimi më shumë më shqetëson pyetja që më bën Lubonja (në fakt vetëm ai se nga dikush tjetër nuk do ta çaja kokën), sepse ajo hedh një hije dyshimi mbi punën time si gazetar. Sepse ajo nënkuptonte hipotezën sipas së cilës Bushati për disa të këqia flet dhe për disa të tjera i mbyllin gojën.

Këtë dua të sqaroj.

Duke e ditur se në këtë vend të këqiat dhe krimet rriten me progression më të madh sesa mundësia jonë për tu informuar, hulumtuar dhe reaguar për to, kam pasur një parim: ti ndaj kolegët në dy grupe në ata që ndjekin bindjen e tyre dhe në ata që shiten dhe blihen. Brenda këtyre dy grupeve sejcili është në të drejtën e vet për të trajtuar temat që do dhe për të zgjedhur pikën me të cilën ai demostron të keqen.

Kështu unë kam qenë i bindur, thellësisht i bindur, se Lubonja është i ndershëm dhe i pastër në profesionin e tij, ndaj kurrë po kurrë nuk e kamë vënë atë në dyshim duke i ngritur pyetjen: “Pse fole përditë në studio kur Edi Rama iu vërsul padrejtësisht Agon Channel dhe nuk fole një fjalë përshembull kur Berisha bëri të njëjtën gjë me gazetën Tema? Pse denoncon heshtjen e mediave sot dhe nuk e bërë këtë kur TV Klan mbylli gojën edhe pasi gardistët e Berishës i plagosën një gazetar në 21 janar? Pse dje, kur Berisha ishe në pushtet thoshe se të dyja bandat janë njësoj dhe sot pretendon se nuk është më kështu sepse banda me pushtet është më e rrezikshme?

Por unë nuk gjykoj se këto pikpyetje që i kam dëgjuar nga shumëkush më ndryshojnë mendimin tim për Lubonjën, një shembull i ndershmërisë luftarake në mediat tona. Pasi ndonjëherë ëshstë e mirë që aato të bëhen publikisht se na ndihmojnë të sqarojmë qëndrimet tona, pavarësisht nga shija e dyshimit që hedhin.

Ashtu sikurse mua më ndihmoi pyetja e lubonjës për të thënë se jam kundër atij ndërtimi në park, kundër çdo lloj tjetër ndërtimi në park madje dhe në gjithë perimetrin e unazës së Tiranës. /Lapsi.al/