Ambasadorja e BE: Shkatërrimi i pronës nuk është demokraci, pakënaqësitë të adresohen në institucione
Dritare.net

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka dënuar aktet e dhunës gjatë protestave, duke u bërë thirrje qytetarëve që pakënaqësitë dhe shqetësimet e tyre t’i adresojnë përmes institucioneve demokratike. Ajo theksoi gjithashtu se institucionet duhet të forcojnë kapacitetet e tyre për të dëgjuar dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.
Sofia Moreira de Sousa thotë: “Në Shqipëri dhe në disa vende të Europës po shohim protesta të dhunshme. Kjo nuk mund të ndodhë në demokraci dhe nuk duhet të ndodhë në vendet ku ne mbrojmë demokracinë. Nuk duhet të ketë dhunë në rrugë. Pakënaqësitë e qytetarëve duhet të adresohen në institucionet demokratike.
Nga ana tjetër, institucionet duhet të kenë kapacitetet e duhura për të treguar se mund t’i trajtojnë pakënaqësitë e qytetarëve. Pra, kjo është një punë e madhe që duhet të bëjnë politikanët dhe nëpunësit civilë, për të forcuar kapacitetet e institucioneve në adresimin e këtyre pakënaqësive. Ne nuk e shohim këtë te dhuna që po përshkallëzohet.
Duhet të angazhohemi me rininë, shoqërinë civile dhe çdo qytetar, për t’u shpjeguar rregullat e lojës në demokraci. Këto rregulla nuk kanë të bëjnë me shkatërrimin e pasurisë publike dhe private, por me forcimin e ligjeve dhe rregullave që mundësojnë adresimin e pakënaqësive. Ka vende të caktuara ku njerëzit duhet të luftojnë për atë që besojnë dhe këto vende janë institucionet”./L.F-dritare/net