Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ah ky byreku me qumësht!

Ah ky byreku me qumësht!
Tani që është shumë ftohtë, një nga mënyrat e ngrohjes është edhe ushqimi. Një byrek i ngrohtë me qumësht, është gjithë çfarë ju duhet në këto ditë të ftohta dimri. Dritare.net ka sjellë për ju, një recetë speciale, si të gatuani një byrek me qumësht, këtë dimër. Nuk është një recetë dosido ëëëë, por super e shijshme.

Për ta bërë byrekun me qumësht ju duhen përbërësit më poshtë!

Për 4-5 persona:

3 filxhanë çaji miell,

2 kokrra vezë

1 pako gjalpë ose vaj ulliri

¾ litër qumësht

1 filxhan çaji niseshte

pak kripë

Si ta përgatisni:

Si fillim duhen përgatitur petët e byrekut. Mund të përdorni petë të gatshme, por më mirë bëjini vetë. Hidheni miellin e situr në një tepsi. Hapni një vrimë në mes të tij dhe hidhni ujë me pak kripë. Përzierjen e brumit fillojeni nga mesi, duke kombinuar ujin me miellin. Brumin punojeni me duar për 8-10 minuta.

Pasi brumi të ketë marrë formën e duhur, ndajeni në kulaçe dhe mbulojini. Lërini të qëndrojnë për 20-25 minuta. Më pas hapini kuleçtë një e nga një duke i spërkatur me pak niseshte. Kur petët të jenë hapur sa duhet, piqini mbi sobë, ose mund edhe të mos i piqni, sipas dëshirës. Nëse i piqni, temperatura e sobës duhet të jetë mesatare në mënyrë që petët të mos digjen. Ndërkohë trazoni qumështin, vezët dhe gjalpin e shkrirë.

Në fund të tepsisë vendosni një petë të papjekur. Spërkateni me masën e qumështit dhe mbulojeni me një petë tjetër të pjekur. Spërkatini të gjitha petët një e nga një me masën e qumështit, vezëve dhe gjalpit deri sa tepsia të jetë mbushur e gjitha.  Në fund, mbulojeni byrekun me petën e papjekur. Lyejeni me gjalpë dhe futeni në furrë. Lëreni byrekun të piqet për rreth 30-40 minuta, e më pas prijeni dhe hajeni. Ju beftë mirë!/K.C/dritare.net