A ka dërguar Kurti njerëz në protestat e Tiranës? Përgjigjet ish-ambasadori Ukshini
Dritare.net

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Syl Ukshini, thotë se nuk beson që kryeministri Albin Kurti të jetë përzier në protestat e fundit në Tiranë. Sipas tij, më shumë janë përfshirë disa këshilltarë të Kurtit, të cilët janë qytetarë të Shqipërisë ose kanë jetuar gjatë këtu.
"Unë nuk besoj që Kurti do të përzihet në këto gjëra, sepse e di që pastaj ajo mund të ketë një reaksion. Unë mendoj që më shumë janë përzier disa njerëz ose disa këshilltarë të tij, që në fakt janë qytetarë të Shqipërisë ose që kanë jetuar gjatë në Shqipëri", tha Ukshini në emisionin "Shqip" nga Dritan Hila në Dritare TV.
I pyetur për akuzat se anëtarë të Vetëvendosjes kanë marrë pjesë në protesta, ai tha se e sheh negativisht çdo ndërhyrje nga Kosova në përplasjet politike në Shqipëri.
"E shikoj në ngjyra negative këtë ndërhyrje, sepse një ndërhyrje në një luftë politike midis palëve në Shqipëri në mënyrë automatike implikon edhe Kosovën dhe kjo nuk është e mirë derisa jemi të ndarë", u shpreh ai.
Ukshini paralajmëroi se një ndërhyrje e tillë në një moment të rënduar politik "vetëm i hedh benzinë zjarrit", duke shtuar se një rrëzim i dhunshëm i qeverisë shqiptare nuk është në favor të Kosovës dhe të shqiptarëve të Maqedonisë.
Sipas ish-ambasadorit, politika kosovare nuk ka të drejtë të vendosë nëse duhet të rrëzohet Rama apo jo. "Simpatitë mund t'i mbajmë për vete, por jo në mënyrë institucionale", tha ai, duke pyetur: "Çfarë do të ndodhë nëse demonstrata të tilla do të ketë në Prishtinë?"
Ai shtoi se as kosovarëve nuk do t'u pëlqente nëse njerëz nga Shqipëria do të përziheshin në protestat ose hallet e tyre politike.
Ukshini reagoi ashpër edhe për përdorimin e flamurit të UÇK-së në protestat e Tiranës. "Flamuri i UÇK-së nuk mund të ngritet për beteja politike në Shqipëri, as për ta djegur Shqipërinë. Prandaj çdokush që përdor flamurin është antishqiptar dhe është antiUÇK. Për mua këtu nuk ka kompromis", tha ai, duke theksuar se flamurin mund ta përdorin vetëm veteranët e UÇK-së.
Duke e krahasuar me Kosovën, ai kujtoi se edhe në Prishtinë u protestua për 10 ditë kundër vendimit të Gjykatës Speciale, por sipas tij ato protesta "kanë qenë në kuadër të rregullave demokratike"./dritare.net