Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

14 korrik: Franca në festë

14 korrik: Franca në festë
Nga Ardiana Faja Toska

Sot në 14 korrik, festa kombëtare e Francës, filloi me parakalimin prestigjioz të forcave të mbrojtjes në arterien kryesore turistike pariziane Champs Elysées. Arsenali ushtarak francez me 3720 ushtarë këmbësorë, 211 automjete, 241 kuaj, 63 avionë dhe 29 helikopterë shpalosi performancat dhe ekselencën e fuqisë mbrojtëse të Francës. Te ftuar të nderit këtë vit presidenti amerikan Trump dhe ushtarët amerikanë, në përkujtim të 100 vjetorit të ndërhyrjes deçizive amerikane në luftën e parë botërore në prill të vitit 1917 ku 126 mijë ushtarë amerikanë humbën jetën .

Pamjet sublime të paradës ushtarake, impresionuan publikun me uniformat prestigjioze shumengjyrëshe, hapat e sigurt ushtarakë (120 hapa në minutë për çdo ushtar që parakolon, numër që i korrespondon tempos së Marsejezës, himnit nacional francez),progreset në fushën e mborjtjes ,skenografinë perfekte, madje dhe Donald Trump shprehu entuziazmin e tij me nje fishkellime teksane kur banda luajti me aq mjeshtëri muzikën elektro të grupit francez Daft Punk.

Për pjesën më të madhe të opinionit, festa e 14 korrikut lidhet me rënien e Bastijës si simbol mesjetar i despotizmit mbretëror. Por ne fakt, historia e kësaj date është pak më e komplikuar sepse në fakt ajo i korrespondon 14 korrikut të vitit 1790, kur me inciativën e markizit dhe gjeneralit La Fayette, Luigji i XVI organizoi festën nje vjetorit të marrjes së Bastijës. 14 korriku i vitit 1790 shenon pajtimin, bashkimin, unitetin kombëtar francez. La Fayette u betua përpara mbretit në emër te gjithë uniteteve mbrojtëse të krijuara në territorin francez pas ngjarjeve revolucionare të verës 1789, per besnikëri ndaj kushtetutës, mbretit, ligjit dhe kombit. Ligji i vitit 1880 i cili zyrtarizoi 14 korrikun si feste nacionale u pranua pa shumë unanimitet. Republikanët radikalë festonin 14 korrikun e 1789, rënien e Bastjës, shembjen e monarkisë dhe heqjen e privilegjeve , ndërsa Republikanët e moderuar të cilët e shihnin me rezerva terrorin e Revolucionit festonin 14 korrikun e 1790, si simbol i bashkimit të kombit. Ngjarjet historike të mëvonshme, do të zgjedhin 14 korrikun e 1790, si festë kombëtare e Francës.

Vendi i zgjedhur për manifestimet dhe parakalimi ushtarak kanë po ashtu historinë e tyre.

Boulevardi Champs Elysées u zgjodh për parakalimin në vitin 1919 për dy arsye : e para ka të bëjë me kapacitetin e tij ndërsa e dyta është simbolike : parakalimi fillon nga Harku i Triumfit simbol i luftës dhe përfundon në sheshin Concorde simbol i paqes. Trajektore domethënëse e evolucionit të misionit të ushtrisë sot që ndërhon si forcë për ruajtjen e paqes.

Përse një parakalim ushtarak ?

Kur 14 korriku, u aprovua si festë nacionale, në 6 korrik të vitit 1880, në tekstin e shkurtër të ligjit nuk bëhej fjalë për parakalim ushtarak. Historiana franceze Annie Crépin, ne gazetën Libération, shpjegon se kjo paradë shpjegohet me traumën e humbjes fatale te Napoleonit III ne Sedan përballë ushtrisë prusiane, në vitin 1870, si pasojë e së cilës Franca humbi Alzasën dhe Lorenën.  Republika kishte si objektiv që ushtira të mishëronte unitetin e Francës duke dhenë nëpërmjet paradës ushtarake provat e rifuqizmit të Republikës për të impresonuar fqinjët e mbi të gjitha Prusinë. Në sitin internet te presidencës franceze thuhet se « Festa civile e 14 korrikut është një etapë e rëndësishme në forcimin e lidhjes mes popullit dhe ushtrisë ». Politologu Olivier Iul, autor i librit « Festa Republikane » (Gallimard 1996) thekson se «  rituali i parakalimit të forcave të mbrojtjes përçon mesazhin se ushtria është nën kontrollin e popullit, në shërbim të tij, ajo është Republikane dhe jo shtet brenda shtetit ».

Festa dhe nderimet vazhdojnë ende në Francë. Presidenti Macron nderon kujtimin e viktimave të atentatit terrorist në Nice, në 14 korrik të 2016, orekstra nacionale dhe korri i Radio France japin nje koncert madhështor në Champs Elysées, priten 500 mijë spektatorë. Vijon në orën 23h00 për 35 minuta nga nje spektakël i jashtëzakonshëm fishekzjarresh, titulluar « Parisi dhe Lojrat Olimpike ».

Presidenti francez Macron në llogjikën e organizimit dhe fjalimin e tij dha mesazhin se ai nuk eshtë vetëm president i mondializmit por edhe vazhdues i respektueshëm i traditës, memorjes, historisë së Francës. Festivitet e 14 korrikut, janë gjithashtu një sinjal diplomatik, një armë e soft power. Ftesa që Macron i bëri homologut të tij amerikan Donald Trump, dëshmon se relacioni Transatlantik mbetet esencial për Francën.

Me anë të festës kombëtare Franca rigjjallëron krenarinë për unitetit kombëtar, jep përpara qytetarëve provën simbolike se shteti ka mobilizuar kapacitetet e nevojshme për të përmbushur misionin esencial të tij, mbrojtjen e popullsisë./ Dritare.net