Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zhduket 54-vjeçari në Pukë, i biri me lot në sy kërkon ndihmë për gjetjen e tij

Zhduket 54-vjeçari në Pukë, i biri me lot në sy
Orion Ahmeti ka denoncuar në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, zhdukjen e babait të tij prej më shumë se 10 ditësh. 54-vjeçari Idriz Ahmetaj nga Fushë Arrëzi ka ndërprerë komunikimet me familjen e tij më 19 nëntor. Djali i tij nuk i ka mbajtur lotët në studion e emisionit ndërsa ka përshkruar komunikimin e fundit me të atin.

“Ne ishim bashkë atë pasdite dhe më pas u ndamë se babi tha që kishte punë. Gjatë kësaj kohe ne kemi folur për rreth 2 orë me të. E kemi pyetur vazhdimisht dhe na ka treguar ku ishte (qan). Pas dy orësh, babi e ka hapur telefonin por nuk ka folur. Më pas kur i kemi rënë sërish telefoni ka dalë i mbyllur”, thotë Orion Ahmetaj.

Ai thotë se policia nuk është angazhuar sa duhet për gjetjen e të atit. Për më tepër ende nuk është dhënë autorizimi për gjetjen e sinjalit të telefonit të babait.

“Në dyshuam se mos kishte rrëshqitur diku dhe kishte ngecur. Kërkuam me familjarë, kushërinj e bashkëfshatarë. Nuk kemi hequr dorë nga kërkimet. Por i kërkojmë policisë të angazhohet, sepse policia nuk po na ndihmon”, tha Orioni.

Shef i Komisariatit Pukë, Pal Marku, mohoi tha se po hetohet me përparësi me këtë rast. “Kemi referuar çështjen në Prokurori. Po hetohet në disa pista që nuk mund t’’ bëj publike. Që në momentin e parë që kemi marrë informacionin kemi kryer veprimet dhe kemi bërë kërkime”, tha Marku.

Ndërkaq në studio erdhën dy mesazhe. Një e moshuar telefonoi nga Fushë-Preza, vend ku tha se kishte parë një person të ngjashëm me Idriz Ahmetaj dhe se i kishte dhënë 2 mijë lekë të vjetra. Po ashtu ajo tha se personi që i kishte kërkuar ndihmë ishte i sëmurë nga këmba. Më tej një vajzë shkruante se gjyshja e saj kishte parë një burrë të ngjashëm me 54-vjeçarin në Vorë.

Një burrë nga Durrësi ka telefonuar gjithashtu dhe ka deklaruar se e ka parë 54-vjeçarin në Durrës.

“Personin në foto, babai i djalit e kam takuar vetë, mbrëmë nga ora 19:30 të darkës, tek stacioni i trenit të Durrësit. E kam takuar personalisht. Mu duk normal, ishte i trembur po kështu mirë dukej. I dhamë dorën njëri-tjetrit. E keni të sigurt që e kam takuar në stacionin e trenit”, tha qytetari./L.P./Balkanweb