YouTube, Facebook dhe TikTok me rregulla të reja, Kuvendi miraton ligjin për të drejtën e autorit
Dritare.net

Kuvendi ka miratuar ligjin e ri për të drejtën e autorit, i cili synon të forcojë mbrojtjen e krijuesve shqiptarë në epokën dixhitale. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se ligji parashikon më shumë përgjegjësi për platformat online, transparencë mbi të ardhurat nga përdorimi i veprave dhe mundësi për një shpërblim më të drejtë për autorët.
"Miratuam sot në Kuvend një ligj shumë të rëndësishëm për të drejtën e autorit, që e çon mbrojtjen e krijuesve shqiptarë drejt një standardi të ri, në përputhje me zhvillimet e ekonomisë dixhitale dhe legjislacionin evropian. Më shumë përgjegjësi për platformat online. YouTube, Facebook, TikTok dhe platformat e tjera që shpërndajnë përmbajtje të mbrojtur nga e drejta e autorit do t’u nënshtrohen rregullave më të qarta për autorizimin e përdorimit të veprave dhe trajtimin e shkeljeve. Më shumë mbrojtje për autorët shqiptarë. Platformat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, pa pasur seli këtu, do të duhet të kenë një përfaqësues ligjor në vend, duke u krijuar autorëve një adresë konkrete për të kërkuar zbatimin e të drejtave të tyre. Më shumë transparencë dhe shpërblim më të drejtë. Autorët do të kenë të drejtë të informohen mbi përdorimin e veprave të tyre, të ardhurat që gjenerohen dhe të kërkojnë rishikimin e kontratave kur shpërblimi rezulton i padrejtë. Më shumë konkurrencë dhe zgjedhje, përmes hapjes së tregut të administrimit kolektiv të të drejtave. Dhe kjo mbrojtje ka edhe një dimension të rëndësishëm ekonomik: industritë e bazuara në të drejtën e autorit kontribuojnë me 4.31% të PBB-së, punësojnë mbi 40 mijë persona dhe gjenerojnë 146.7 milionë euro eksporte shërbimesh. Sepse krijimtaria shqiptare nuk është vetëm identitet dhe vlerë kulturore. Është punë, ekonomi, inovacion dhe potencial zhvillimi. Një hap i rëndësishëm për një Shqipëri ku puna krijuese njihet, mbrohet dhe shpërblehet!", thotë Gonxhja./K.C/dritare.net