
Vjen në shqip “Virgjëresha Holandeze”, dashuri, mister dhe luftë
Dritare.net

Shtëpia botuese Dituria si dhe projekti Creative Europe kanë sjellë në Tiranë “Virgjëreshën Holandeze”. Bëhet fjalë për një roman të suksesshëm të shkrimtares Marente De Moor. I botuar në 12 gjuhë të ndryshme, kryesisht europiane, librin e sjell në shqip përkthyesja e njëkohësisht shkrimtarja, Albana Shala.
Është historia e dashurisë dhe humbjes së pafajësisë, jo vetëm të një vajze, heroina e romanit, por të një vendi, si Holanda, e cila në pragun e Luftës së Dytë Botërore e gjen veten në dilemën e të qenit, apo jo neutrale.
Zhaku, një mjek holandez e dërgon të bijën 18 vjeçare, Janën, të qëndrojë në shtëpinë e gjermanit Egon Fon Boetigerit, një mik i rinisë. Ai do të ndihmojë Janën të përsosë aftësitë në sportin e skermës, por Jana bie në dashuri me Egonin, tërheqës, joshës dhe për më tepër misterioz. Kjo dashuri shoqërohet edhe nga misteri i marrëdhënies mes të atit të Janës dhe Egonit, ndërkohë që rreziku nazist është në prag dhe bota po shkon drejt një periudhe barbare.
De Moor risjell atmosferën e një epoke si një pikë kyç në histori, duke përshkruar me nota të gjalla pasiguritë dhe tensionet që i paraprinë Luftës së Dytë Botërore.
Përkthyesja Albana Shala thotë se përkthimi i librit ishte një sfidë, sepse autorja e ka shkruar si poezi dhe poezia në një farë mënyrë është e papërkthyeshme. “Shpresoj të jem e padukshme dhe që libri të tingëllojë shqip” - thotë znj. Shala.
Përkthyesja e “Virgjëreshës Holandeze” jeton prej 22 vjetësh në Holandë. Ajo duket se e ndjen mungesën e Shqipërisë, kur thotë se vetëm letërsia, e në këtë rast përkthimi, bën të mundur idenë e të jetuarit njëkohësisht në dy vende, në dy realitete të ndryshme.
Gjatë prezantimit të librit në mjediset e Fakultetit Filologjik, drejtori i Shtëpisë Botuese Dituria, z. Petrit Ymeri, tha se vepra e Marente De Moor qëndron shumë mirë përkrah autorëve të mëdhenj bashkëkohorë. Nga kritikët, autorja e “Virgjëreshës” konsiderohet si një nga zërat letrarë më premtues për letërsinë holandeze. Ka nga ata që shprehen se shumë shpejt fama e Marentes do të kapërcejë atë të nënës së saj Margriet De Moor, edhe e ajo një shkrimtare famshme holandeze, e cila është përkthyer në shqip dhe ka vizituar personalisht vendin tonë.
“Virgjëresha Holandeze” është vlerësuar me disa çmime, njëri prej të cilëve Çmimi Europian i Letërsisë. Për këtë arsye në sallë gjendeshin edhe dy fituesit shqiptarë të këtij çmimi, Ben Blushi dhe Rudi Erebara, të cilët përshëndetën shkrimtaren holandeze. Blushi ndau me audiencën një bisedë që kishte bërë paraprakisht me autoren. Pasi e kishte pyetur për stilin e saj në të shkruar, Blushi kishte mbetur i befasuar kur De Moor i kishte rrëfyer se i ishin dashur edhe 3 vjet për të përfunduar një libër. “Unë një libër e kam shkruar edhe për 1 muaj” - tha Blushi, duke shtuar me humor se mund të jetë cilësi e shqiptarëve që gjërat e këqija t’i bëjnë shpejt e shpejt. Më pas ai vlerësoi përkthyesen Albana Shala dhe e solli punën e saj si një rast klasik shumë të mirë, kur shkrimtarja përkthehet nga një shkrimtare, duke eliminuar frikën që shoqëron shpesh krijuesit, për një “tradhti” të mundshme prej përkthyesit. Ndërsa i sapovlerësuari në Bruksel, shkrimtari Rudi Erebara, vuri theksin tek aftësia e letërsisë për të thyer kufijtë dhe për të bërë të mundur integrimin në Europë./dritare.net

















