
Video / Incident në aeroport, tifozët sulmojnë Alban Hoxhën
Dritare.net

Pas zbarkimit të ekipit në aeroportin “Nënë Tereza”, dy tifozë janë përfshirë në një zënkë me portierin Alban Hoxha dhe është dashur ndërhyrja e forcave të rendit për të qetësuar situatën.
Burime zyrtare nga policia konfirmuan se personat në fjalë nuk kishin shkuar në aeroport me qëllimin për të sulmuar lojtarin e Partizanit.
Por në momentin kur kanë parë delegacionin e të kuqve duke dalë nga aeroporti, rreth orës 3:30 të mëngjesit, ata kanë thumbuar portierin për paraqitjen e tij në ndeshjen ndaj Krasnodarit, të humbur nga të kuqtë me shifrat 40. Situata është tensionuar menjëherë pasi edhe Hoxha është kundërpërgjigjur, ndërsa palët kanë qenë pranë një konfrontimi fizik.
Gjithsesi, ndërhyrja e pjesëtarëve të tjerë të delegacionit të Partizanit si dhe të forcave të rendit, bëri që situata të qetësohej. Dy personat janë shoqëruar në polici, ndërsa janë mbajtur për 10 orë, duke dhënë dëshmitë e tyre për këtë ngjarje, para se të liheshin të lirë.
Ndërkaq, në internet qarkullon një video e filmuar nga një kalimtar i rastit, ku dallohen momentet e tensionit në aeroport.

















