Na ndiqni edhe në

Fjorda di një Vend

Vetëm unë nuk të kuptova, Greg Rama!

Vetëm unë nuk të kuptova, Greg Rama!

Nga Fjorda Llukmani Gjatë udhëtimeve të mia kudo që të shkoj, përpiqem të vizitoj minimumi një muze apo ekspozitë arti. Me timen e mbaj veten si njeri të kulturuar, por e gjithëditur s’mund të jem. Problemi qëndron që në disa raste, sidomos kur bëhet fjala për art kontemporan ose instalacione konceptuale, e kam të vështirë të kuptoj çfarë ka dashur të thotë autori. Të njëjtën ndjesi pata dhe në vizitën e ekspozitës “Ex Nihilo” të Greg Ramës me kurator Ardian Isufin. Rastisi që ndodhesha në Tiranë më 4 mars, që ishte dhe dita e çeljes. Shkova për ta parë paradite ndërkohë që po merreshin akoma me hapjen zyrtare në darkë. Në galerinë “Fab” kishte tre instalacione në dhoma të ndryshme. Muret anash komplet të bardha dhe konturet me drita të së njëjtës ngjyrë. Në pamje të parë instalacioni dukej si fije floku. Ngjyra e zezë ta jepte këtë mendim, e po ashtu pika e ujit që mbështetej mbi të. Publikova një foto në Instagram duke i pyetur miqtë e mi virtualë se me çfarë ju ngjason. Të gjithë thanë “pikë loti në qerpik” apo “pika uji në qime floku”. Askujt s'i shkoi mendja për çfarë bëhej fjalë në të vërtetë. Para se të vizitoja ekspozitën lexova se “Ex Nihilo” në latinisht do të thotë hiç. Ama instalacioni që shumicës i dukej si qime floku, në fakt ishte fije bari dhe një bulëz uji. Vras mendjen pse autori nuk e bëri fijen e barit jeshil, por të zi? Për të na konfuzuar ne ndoshta. Mikesha që ishte me mua filloi duke qeshur pasi s’po e kuptonte idenë. Në raste të tilla mund të drejtohesh tek abstrakti që jepet në hyrje të ekspozitës. Shkrimi i kuratorit më bëri më lëmsh akoma. E lexova 3-4 herë e prapë s’kuptova asgjë. Qofshi më të zgjuar se unë, e më thoni nëse e keni kuptuar thelbin me këtë tekst. Gjithmonë kam patur debate me artistët për kështu rastesh. A është e mundur që veprat tuaja t’i bëni sa më të thjeshta për t’u kuptuar nga publiku që s’ia ka haberin? Po sikur të përdorni një fjalor sa më bazik për t’i shpjeguar? Nëse targetgrupi i vizitorëve janë vetëm lloji i tyre, d.m.th. artistët e tjerë atëherë jam shumë dakord me tekstin, të cilin mund ta kuptojnë shtresa e lartë dhe e lexuar e shoqërisë sonë. S’e kam problem ta klasifikoj veten si injorante në këto çështje, por dëshira ime ishte jo thjesht për ta parë, por ta marrë vesh çfarë donte të përcillte. Megjithatë nuk hedh kurrë baltë mbi punën e dikujt, madje jam fanse e arteve e muzeve sidomos për Tiranën që ka shumë nevojë. S’po e gjykoj instalacionin si kritike arti pasi s’kam këtë kualifikim. Thjesht mesazhi nuk erdhi tek unë i qartë. Si gazetare kur shkruaj artikuj nuk pres të më kuptojnë të gjithë se mendjet janë të ndryshme, por duke qenë se me lexon publiku i gjerë, përpiqem të jem sa e qartë në atë që them. Përveç kësaj Gregu si personazh më ka intriguar gjithmonë sepse sheh punën e vet, nuk përfshihet në gjëra që s’i takojnë e nuk bën show me të madhe të tipit “shiko kush jam unë”. Siç duket artistët janë modestë nga natyra, por jo gjithmonë të qartë. Me veprat e tyre tregojnë tipare të vetes e gjërave që na rrethojnë e nuk I vëmë re në jetën e përditshme. Kështu na hapin sytë, duke na ofruar produkte të tilla më tepër. M’u desh të hap lajmet e portalet për të parë intervista nga ekspozita që shkruanin: “Në ekspozitën e tij të dytë personale, Greg Rama, sërish përdor latinishten për të na përcjellë në një zgjatim ëndërrimtar si metaforë e krijimit nga hiçi, nëpërmjet instilacionit fije bari. Po ashtu nëpërmjet bulës së ujit, një materie delikate si formë transitore e materies shpirtërore.” Nëse doni vizitorë në ekspozitat tuaja do të sugjeroja të merrni parasysh publikun të cilit i drejtoheni, e ta shpjegoni mundësisht sa më qartë mesazhin. I lutem artistëve të na e bëjnë punën më të thjeshtë neve që duam, por s’e kuptojmë punën tuaj./dritare.net