
Vendet interesante që ju sugjeroj të vizitoni në Barcelonë!
Dritare.net

Nga Fjorda Llukmani
Barcelona, qyteti i ngjyrave, rinisë dhe arkitekturës së veçantë nga i famshmi Antoni Gaudi. E kisha vizituar para shumë vitesh brenda një dite, por me ç’kuptova gjatë udhëtimit të dytë, s’kisha parë asgjë. Kësaj herë u ftova nga Albana Nanaj, autorja e emisionit “Check In” në TV Klan.
Albana prej 20 vjetësh drejton një agjenci turistike dhe nga eksperiencat e shumta vendosi të krijojë cikël dokumentaresh nëpër botë. Për mendimin tim është produkti më edukues në televizionet shqiptare. Në çdo episod ajo fton një personazh që i shkon për shtat destinacionit. E kujt tjetër mund t’i shkonte për shtat Barcelona kaq shumë sa mua?
Ditën që arritëm në aeroport frynte erë e paparë, aq sa u habita pasi s’kisha marrë rroba të trasha. Më pas nga dreka doli dielli e filloi të bëhej vapë. Kini parasysh që nëse vizitoni Barcelonën, moti është surprizues prandaj përgatituni sa më mirë të jetë e mundshme. Programin e kishim super të ngjeshur, për t’u dhënë shikuesve sa më shumë pika interesante për të vizituar. Më poshtë do të listoj një nga një secilën prej tyre, por për më tepër mund të ndiqni dhe videon në YouTube të emisionit. La Rambla
Hoteli ynë ndodhej në rrugën La Rambla që është më e frekuentuara në Barcelonë. Në disa raste e quajnë “Las Ramblas” dhe është një bashkim i pesë rrugëve të tjera. Kur ecje në mesin e saj rrethoheshe me kurorë të formuar nga pemët e larta nga të dyja anët.
Çdo degëzim të nxirrte në sheshe të vogla simpatike. Guidat sugjerojnë mos të hani rreth kësaj zone pasi është shtrenjtë dhe cilësi e dobët gatimi. Karakteristike janë dyqanet e suvenireve, pikturave dhe restoranteve apo lokaleve që gëlojnë nga jeta në çdo orar të ditës. Ndër të tjera, La Rambla njihet për numrin e lartë të vjedhjeve. Madje Barcelona mban numrin e parë në botë për fenomenin e vjedhjes. Bouqeria Market
Ndodhet në të njëjtën rrugë që përmenda më sipër. Këtu të kënaqen sytë dhe shqisat duke ndjerë aroma e shijuar ushqime. Ky treg ka ushqime nga më të ndryshmet e të shton nepsin edhe nëse s’ke uri.
Duke filluar nga frutat ekzotike në ato të detit, ëmbëlsira, lëngje të freskëta, proshuta, perime dhe gatime të castit. Për më tepër produktet janë lirë dhe mund ta konsideroni në raste të ndryshme që doni të hani dicka të shpejtë por cilësore. Camp Nou Stadiumin e kam vizituar para disa vitesh e madje shkrova një artikull në dritare.net. Edhe nëse s’jeni fansa të futbollit duhet parë vetëm për shkak të famës e historisë që mbart. Njihet dhe si stadium më i madh në Europë me kapacitet për rreth 100 mijë vende.
FC Barcelona është klubi i dytë më i pasur në botën e futbollit për sa i përket të ardhurave me një qarkullim vjetor prej 613 milion dollarësh. Por mos bëni gabim ta quani qytetin “Barça” sepse banorët do ju shikojnë me inat. Ky shkurtim përdoret vetëm për skuadrën e futbollit. Lagja Gotike
Karakteristikë e Barcelonës janë dhe rrugicat e ngushta në të cilat humbet kollaj. Lagjja Gotike krijon labirinte e rrugë dredha dredha që të shtyjnë kurjozitetin për ti përshkuar deri në fund. Po të ngresh kokën lart mund ta shohësh forma të ndërtesave që kryqëzohen njëra me tjetrën.
Ballkonet e vogla me hekura e lule kanë të njëjtën largësi me pallatet që ndodhen përballë. Quhet gotike sepse dikur ishte fshati romak dhe ka mbetje të së kaluarës. Kjo lagje është qendra e qytetit të vjetër të Barcelonës.Pjesë e kësaj lagjeje është dhe Katedralja e Barcelonës që mund të vizitohet pa pagesë.
Sagrada Familia
Udhëtimi në Barcelonë nuk ka kuptim pa vizituar veprat fantastike të arkitektit Antoni Gaudi. Inspirimin kryesor e gjente në natyrë nga ku marrin jetë dhe veprat e tij, që kanë kryesisht elemente që i shohim çdo ditë.
Sagrada Familia është një prej punëve të tij më të famshme e që gjatë udhëtimit tonë e quajtëm si ekspecienca më e vlefshme në Barcelonë. Për mua ështëndërtesa e kultit më e vecantë që kam parë ndonjëherë. Brendësia e kishës jo vetëm që të le gojëhapur, por habitesh nga ngjyrat që depërtojnë prej rrezeve të diellit.
Krijohej atmosferë aq e bukur pasi drita depërtonte në xhamat anash. Kolonat e brendshme kanë dizajn unik ku përvec dëgëzimit vijnë si rezultat i kryqëzimit të formave të ndryshme gjeometrikeVetëm kur e viziton arrin të kuptosh cfarë mund të bëjë mendja e njeriut. Këtu ndjehesh aq i vogël para finesës që të ofrohet. Nuk ka rëndësi se kujt besimi i përket, secili i përulet këtij krijimi që fut në mendime.
Pasi të mbarojë në 2026, kjo do të jetë ndërtesa që ka marrë më shumë kohë duke u ndërtuar, për t’ia kaluar edhe Piramidave Egjiptiane dhe Murit të Madh Kinez. Parku Guell
Tjetër vepër e Gaudit është Parku Guell që ndodhet në pjesën kodrinore të qytetit. Plani fillestar ishte që të ndërtohej një kompleks rezidencial me vila larg smogut të qytetit, por më vonë u kthye në park publik.
Nga hyrja vume re që një pjesa më e rëndësishme e saj po rikonstruktohej. Shumë prej jush kanë parë nëpër foton pamjen e ballkonit me mozaikë nga ku duken dhe dy shtëpi të ndërtuara si prej balte e me konture plot ngjyra.
Kjo është pjesa me pagesë e parkut, por duke qenë se nuk ishte plotësisht e aksesueshme, vendosëm të vizitonim anën tjetër që është po aq e bukur.
Arkitekti jetoi në një prej shtëpive që ndërtoi këtu derisa vdiq pasi u përplas nga një tram rrugës për në kishë. Për shkak të veshjes së tij të thjeshtë njerëzit mendonin se ishte lypës dhe askush nuk mori mundimin ta çonte në spital me taksi. Një ndër personat që i dha pamje e emër Barcelonës vdiq nga pakujdesia, sikur mos ta njihte askush. Casa Vicens
Në përgjithësi turistët vizitojnë Casa Batllo apo Casa Mila që ndodhet Paseo de Gracia. Megjithëse këto njihen si ndërtesat më të vizituara, neve na intrigoi ideja e vizitës në shtëpinë më pak të famshme të ndërtuar nga Gaudi.
Casa Vincens është vepra e parë e tij dhe është hapur për publikun jo më larg se dy vjet më parë. U tërhoqëm nga fasada e saj me ngjyra të forta të stilit arab e menduam se fshihte dicka të veçantë. Këtu shfaqi talentin e tij e më pas vazhdoi karrierën me të tjera vende.
Shtëpia është e ndërtuar me gur të zhveshur, tulla të kuqe, pllaka qeramike me ngjyra edhe me modele lulesh. Gatimi i paella
Të frymëzuar nga Bouqeria market s’mund të largoheshim pa provuar pjatën e famshme paella dhe mënyrën e veçantë sesi gatuhej ajo.
Në AirBnb porositëm një klasë gatimi të paellës që organizoheshin nga një shef peruan. Oscar punonte gjatë verës në Barcelonë, e pjesët e tjera të vitit duke shkruar menutë e restoranteve nga New York-u në Stockholm. Në muhabet e sipër na tregonte se kishte qenë dhe kuzhinjeri personal i një ambasadori. Pjesë e klasës ishin dhe një grup të rinjsh që vinin nga Amerika.
Shefi i kuzhinës kishte përgatitur çdo ingredient që përdorej për gatimin e pjatës së famshme spanjolle. Përveç kësaj të gjithë kishim para një letër me sqarime e ishim të detyruar të mbanim shënime tamam si në shkollë.
Darka filloi me përgatitjen e verës Sangria. E ëmbël, me fruta, ponç ose rum dhe pak akull. Ndoqëm hap pas hapi këshillat e tij të dhe u bëmë pjesë duke dhënë kontributin tonë. Flamengo show
Për turistët si ne që duam të njohim dhe kulturën vendase, një ide është ta filloni jetën e natës duke shkuar në teatro flamengoje. Biletat përfshijnë pije ose darkë në varësi të dëshirës. Para se të fillonte shfaqja mësuam rregullat kryesore të kërcimit. Ndër të tjera si instrument përfshihej dhe trokitja e duarve e cila përdoret si tingull por edhe për të mbajtur ritmin.
Teatri që pamë ne zgjaste një orë me pjesë të ndara. Nëse të pëlqen kërcimi mjafton të duartrokasësh ose të bërtasësh me zë të lartë “Olee”. Kjo lloj muzike të vlon gjakun e ti si spektator humbet duke ndjekur hapat e shpejta të kërcimtarëve. Zëri i këngëtarëve na kujtoi telenovelat spanjolle që jepeshin dikur në televizione. Sapo fillonte duke kënduar dukej sikur një ngjarje dramatike do të ndodhte në vazhdim, vetëm kur muzika merrte tjetër rrjedhë nga melankolike, në ritmike.
Barcelona është qytet që të ofron pak nga të gjitha. Mund të vizitohet me shoqërinë, çift madje edhe vetëm. Njerëzit janë të shoqërueshëm dhe kudo që shkon fillon bisede kollaj. Deti, ngjyrat, festat dhe ushqimet janë elementet që formojnë puzzelin e këtij qyteti sa të zhurmshëm, aq edhe të qetë e relaksues. Barcelona është qyteti i kontrasteve dhe ne i shijuam shumë të papriturat gjatë udhëtimit tonë./dritare.net

















