Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vdekja e punonjësit të Bashkisë Tropojë, arrestohen drejtori dhe drejtuesi teknik i punimeve

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tropojës, një ditë pasi një punonjës i Bashkisë Tropojë humbi jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike gjatë punës.

Në pranga kanë rënë Ndriçim Gjocaj, 36 vjeç, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, si dhe Gëzim Hasanpapa, 60 vjeç, me detyrë drejtues teknik i punimeve. Të dy janë banues në Bajram Curri.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 shtator, rreth orës 10:00, në rrugën e Dobravës, pranë fshatit Bujan. Sipas hetimeve paraprake, katër punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë po punonin për vendosjen e një shtylle ndriçimi në bazament.

Për shkak të peshës së shtyllës, punonjësit kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e energjisë elektrike. Kontakti ka bërë që rryma të përcillet te katër punonjësit.

Si pasojë, 59-vjeçari Muhamet Sylisufaj humbi jetën në vendngjarje, ndërsa tre kolegët e tij, Albert Dunisha, 40 vjeç, Ilir Dautaj, 47 vjeç dhe Afrim Aliaj, 21 vjeç, u dëmtuan dhe u transportuan për ndihmë mjekësore. Të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se arrestimet janë kryer në kuadër të hetimeve të drejtuara nga Prokuroria, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Sipas grupit hetimor, po vijojnë veprimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./L.F-dritare.net