Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ukshini: Flamuri i UÇK-së nuk ngrihet për të djegur Shqipërinë

Ukshini: Flamuri i UÇK-së nuk ngrihet për të djegur

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të flamurit të UÇK-së në protestat e fundit në Tiranë.

I ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në Dritare TV, Ukshini tha se ky flamur nuk mund të përdoret për qëllime politike as në Kosovë, e aq më pak në Shqipëri.

“Diçka që mua më pengon, sepse kam edhe familjarë dëshmorë, është flamuri i UÇK-së. Nuk mund të ngritet për beteja politike në Shqipëri, as për ta djegur Shqipërinë. Flamuri i UÇK-së është ngritur kundër regjimit të Millosheviçit. Prandaj çdokush që përdor flamurin është antishqiptar dhe është antiUÇK. Për mua këtu nuk ka kompromis”, deklaroi ai.

Ukshini e pranoi se qëndrimi i tij mund të duket i ashpër, por theksoi se nuk heq dorë prej tij.

“Duket radikale, po kështu është. Flamuri i UÇK-së nuk mund të përdoret për gara politike as në Prishtinë, e lë më në Tiranë”, tha ish-diplomati.

Sipas tij, ky flamur ka një histori që duhet respektuar, pasi është përdorur kundër forcave serbe që, siç u shpreh ai, kërkuan të shfarosnin popullin shqiptar në Kosovë.

Ukshini u bëri thirrje edhe studentëve protestues që të distancohen qartë nga dhuna dhe t’i izolojnë ata që e shkaktojnë atë. Ai vuri në dyshim edhe protestimin me maska.

Ish-ambasadori kritikoi gjithashtu ndërhyrjen e disa këshilltarëve të Albin Kurtit në protestat e Tiranës. Sipas tij, kjo ndërhyrje “në mënyrë automatike implikon edhe Kosovën” dhe “vetëm i hedh benzinë zjarrit”. Megjithatë, ai tha se nuk beson që vetë Kurti të përzihet në këto zhvillime.