Na ndiqni edhe në

Bota

Trump: Armëpushimi me Iranin ka marrë fund, nuk dua të merrem më me ta

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi nga Samiti i NATO-s në Ankara se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit ka përfunduar, pas shkëmbimit të sulmeve mes dy vendeve.

“Nuk dua të merrem më me ta. Janë njerëz të rrezikshëm, të udhëhequr nga njerëz të sëmurë. Nëse do të kishin armë bërthamore, do t’i përdornin. Sa më përket mua, kjo çështje ka marrë fund,” u shpreh Trump.

Ai shtoi se negociatorët mund të vazhdojnë bisedimet, por sipas tij ato janë “humbje kohe”, duke akuzuar Iranin se “gënjen”.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë pasi Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se kishte goditur mbi 80 objektiva iraniane, përfshirë më shumë se 60 mjete detare të Gardës Revolucionare Islamike.

Nga ana tjetër, Irani deklaroi se kishte shënjestruar baza ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve amerikane.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mbështeti veprimet e SHBA-së, duke i cilësuar sulmet “plotësisht të nevojshme” dhe duke akuzuar Iranin për shkeljen e armëpushimit. Ndërkohë, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se ishte Uashingtoni ai që e theu marrëveshjen e armëpushimit.

Pavarësisht nënshkrimit muajin e kaluar të një memorandumi mirëkuptimi mes Teheranit dhe Uashingtonit për zgjatjen e armëpushimit dhe uljen e tensioneve, përplasjet mes dy vendeve janë rikthyer, duke rritur frikën për një përshkallëzim të ri të konfliktit në rajon.