Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Samiti i NATO-s, kryeministri Rama takim me Sekretarin e NATO, Mark Rutte

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në punimet e ditës së dytë të Samitit të NATO-s, që po zhvillohet në Ankara. Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Pas diskutimeve të ditës së parë, të përqendruara te rritja e investimeve dhe forcimi i industrisë së mbrojtjes së vendeve anëtare, liderët e Aleancës pritet të fokusohen sot në situatën në Ukrainë dhe në formalizimin e një pakete mbështetëse prej 70 miliardë eurosh për Kievin gjatë dy viteve të ardhshme.

Programi i ditës nis me fjalimet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe liderëve pjesëmarrës, pasuar nga ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, fotografia tradicionale familjare dhe mbledhja e Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Vëmendje të veçantë pritet të tërheqë edhe takimi mes Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili konsiderohet kyç për koordinimin e mbështetjes perëndimore ndaj Ukrainës në një moment të ndjeshëm të zhvillimeve ushtarake dhe diplomatike në Evropën Lindore.

Ndërkohë, Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, do të zhvillojë gjatë ditës një sërë takimesh dypalëshe me liderë të vendeve pjesëmarrëse, mes tyre edhe me Kryeministrin Edi Rama.

Samiti do të mbyllet me konferencën për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ndërsa më pas pritet të mbajnë deklarata edhe liderët pjesëmarrës, përfshirë Presidentin amerikan Donald Trump.

Mbrëmjen e së martës, Presidenti turk shtroi një darkë zyrtare për 32 liderët e vendeve anëtare të NATO-s. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama./L.F-dritare.net