Trump kërkon sërish Groenlandën dhe kërcënon Evropën në Samitin e NATO-s
Dritare.net

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikthyer kërkesën që Groenlanda të kalojë nën kontrollin e SHBA-së, ndërsa paralajmëroi se mund të tërheqë trupat amerikane nga Evropa.
Duke folur para gazetarëve, gjatë mbërritjes së tij në Samitin e NATO-s në Ankara, Trump kritikoi aleatët evropianë për, sipas tij, mungesën e mbështetjes ndaj SHBA-së gjatë konfliktit me Iranin, si edhe për nivelin e ulët të shpenzimeve në mbrojtje.
“Danimarka nuk shpenzon mjaftueshëm për Groenlandën. Ajo është një territor me rëndësi strategjike për SHBA-në dhe duhet të kontrollohet nga ne, jo nga Danimarka,” deklaroi Trump, duke argumentuar se zona është e rrethuar nga aktiviteti detar i Kinës dhe Rusisë.
Presidenti amerikan shtoi se Uashingtoni mund të rishqyrtojë praninë ushtarake në Evropë.
“Mund t’i tërheqim të gjithë ushtarët tanë nga Evropa. Ne kemi shpenzuar qindra miliarda dollarë për aleatët tanë, ndërsa ata nuk kanë qenë aty për ne,” u shpreh ai.
Trump kritikoi gjithashtu politikat evropiane për emigracionin dhe energjinë, duke paralajmëruar se kontinenti rrezikon të përballet me pasoja serioze nëse nuk ndryshon kurs.
Deklaratat e tij u kundërshtuan menjëherë nga kancelarja britanike Rachel Reeves, e cila theksoi se e ardhmja e Groenlandës i takon vetëm popullit të saj dhe Danimarkës.
“E ardhmja e Groenlandës vendoset nga qytetarët e Groenlandës dhe Danimarkës, jo nga presidenti i SHBA-së,” deklaroi Reeves.
Në prag të samitit, Trump përsëriti edhe kritikat ndaj vendeve anëtare të NATO-s për mosarritjen e objektivave të shpenzimeve ushtarake, duke kërkuar që aleatët të rrisin kontributin e tyre në mbrojtje dhe të mos mbështeten kryesisht te Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, vendet evropiane po shtojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Mbretëria e Bashkuar, së bashku me Francën, Gjermaninë dhe vendet baltike, ka njoftuar nisjen e një projekti të përbashkët për zhvillimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi, me synimin për të forcuar kapacitetet e NATO-s dhe për të ulur varësinë nga teknologjia ushtarake amerikane./L.F-dritare.net