Na ndiqni edhe në

Shëndet

Arma sekrete për shëndetin e zemrës tek gratë

Studimi: Ushtrimet e forcës ulin ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës tek gratë

Një studim i ri ka zbuluar se ushtrimet e forcës (rezistencës) janë një komponent i rëndësishëm për shëndetin e zemrës, veçanërisht tek gratë. Sipas hulumtimit, gratë që kryenin të paktën dy orë ushtrime force në javë kishin 20% më pak rrezik për të zhvilluar sëmundje të mëdha kardiovaskulare dhe 44% më pak rrezik për të pësuar infarkt të zemrës, krahasuar me ato që nuk i praktikonin fare.

Studimi, i publikuar më 17 qershor në revistën shkencore Journal of the American College of Cardiology, ndoqi mbi 117 mijë gra për një periudhë mesatare prej 14.5 vitesh. Studiuesit theksojnë se rezultatet më të mira u arritën tek gratë që kombinonin ushtrimet e forcës me të paktën 150 minuta aktivitet aerobik në javë dhe shmangnin qëndrimin ulur për periudha të gjata.

Sipas ekspertëve, ushtrimet e rezistencës ndihmojnë në ruajtjen e masës muskulore, përmirësojnë kontrollin e sheqerit në gjak, metabolizmin dhe qarkullimin e gjakut, si edhe ndikojnë pozitivisht në stabilitetin e pllakave në arterie, faktorë që lidhen drejtpërdrejt me uljen e rrezikut për infarkt.

Megjithatë, studimi nuk gjeti të njëjtin efekt mbrojtës ndaj goditjes në tru, duke sugjeruar se mekanizmat që çojnë në këtë gjendje janë të ndryshëm dhe kërkojnë studime të mëtejshme.

Ekspertët rekomandojnë që ushtrimet e forcës të praktikohen të paktën dy herë në javë, ndërsa përfitimet më të mëdha për zemrën janë vërejtur tek personat që arrijnë rreth dy orë ushtrime rezistence në javë. Një program 30-minutësh, katër herë në javë, që përfshin ushtrime për pjesën e sipërme dhe të poshtme të trupit, konsiderohet një mënyrë efektive për të përmirësuar shëndetin kardiovaskular.

Specialistët këshillojnë gjithashtu që para nisjes së një programi të ri stërvitor, veçanërisht për personat me probleme shëndetësore, të konsultohen me mjekun./L.F-dritare.net