Na ndiqni edhe në

Arkiv

“Të thyer”, Budina thirrje politikës: Mos e ndotni Shqipërinë!

“Të thyer”, Budina thirrje politikës: Mos e ndotni
Një gri tymi e shoqëron filmin nga fillimi deri në fund. E thyen tek­tuk vetëm jeshilja e fshatit dhe gëzimi i fëmijëve, që edhe ai venitet, kur mbytet nga përfitimi e etja për para. “Të thyer”, kështu titullohet filmi më i fundit i Edmond Budinës, që kësaj here kishte marrë mbi vete një rol të trefishtë si skenarist, regjisor e aktor. Filmi pati dje një projeksion të parë për mediat. Një bashkëprodhim shqiptaro­italo­maqedonas, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Shqipërinë e sotme, ku pas çdo problemi fshihen edhe shumë të tjera, duke krijuar një rrjetë mbytëse, e cila nuk të lë të dalësh. Dhe nuk është e rastit që edhe filmi i Budinës të prekë shumë tema që dhembin, që nga politika e korruptuar, te ndotja e mjedisit, marrëdhëniet prindër­fëmijë, mosmirënjohja, braktisja e fshatrave, lufta për mbijetesë e nënave pa burra…

Rolin kryesor në film Budina ka preferuar ta interpretojë vetë. Siç do ta shpjegonte edhe në konferencën për shtyp, pas shfaqjes, ky rol i vinte natyrshëm, së brendshmi. Ai luan rolin e një babai që kryen shumë vite burg në Itali, duke marrë përsipër fajin e të birit, i cili ka arritur të bëjë karrierë në Shqipëri, të bëhet biznesmen dhe deputet. Por arsyen e dënimit Budina jo pa qëllim nuk e zbulon që në fillim. Sjellja e ftohtë e të birit, kur ai kthehet në Shqipëri, mungesa e komunikimit, të lë të kuptosh se ai ka kryer një krim, prej të cilit familja është distancuar. Dhe vetëm drejt fundit, përmes personazhit të Markos, mësojmë se është dënuar për drogë. Por ndërkaq profili i Janit (interpretuar nga Budina) është zhvilluar dhe lehtazi mund të kuptosh se një njeri aq i drejtë dhe altruist sa ai, nuk do të merrej kurrë me drogë. Për shkak të ftohtësisë së të birit ai vendos të mos e pranojë apartamentin e dhuruar prej tij, por të shkojë në fshatin e lindjes. Një vend i humbur, i braktisur, pa shkollë, por me një kishë, ku rrojnë vetëm ca pleq që argëtimin e vetëm kanë të shohin nga dritarja një femër të zhvishet. Dhe këtë e bëjnë me para. Por jeta idilike e fshatit, duke u dhënë mësim dy vajzave pa baba, duke ngritur balona e rregulluar gardhe, s’është e thënë të zgjasë shumë. Tentakulat e korrupsionit janë zgjatur deri në atë fshat të humbur ku i biri deputet ka groposur në mënyrë të paligjshme fuçi me lëndë toksike, duke rrezikuar jetën e banorëve. Budina nuk synon t’i drejtojë gishtin njërit apo tjetrit, as të thotë se këtu apo aty janë groposur fuçi me lëndë radioaktive, por të vërë një sirenë alarmi ndaj masakrave ambientale.

“Besoj se e keni dëgjuar që shumë ndërtesa janë bërë me hekurin e Çernobilit, që derdhet vaj në det, që peshkohen lavatriçe e frigoriferë, që priten pyjet… Por edhe sikur të mos ndodhnin këto, ky është një film artistik dhe unë them: Mos e ndotni ambientin! Mos e shkatërroni Shqipërinë!”, u shpreh Budina. Dhe pa dyshim kjo thirrje është në radhë të parë për politikën dhe vendimmarrësit. Tensionit të krijuar prej kësaj linje, Budina i shton edhe atë të mbijetesës së një gruaje me dy vajza, që ka bërë burg sepse ka vrarë djalin që i përdhunoi të bijën kur ishte vetëm 4 vjeçe. E për t’i rritur ato, jo vetëm pastron shtëpitë e fshatit, por edhe “argëton” ata pak pleq që kanë mbetur, duke u bërë ndonjë gjysmë striptizmi.

Me gjithë dhimbjen që bart historia e kësaj gruaje, ajo është trajtuar me një dozë humori nga ana e Budinës. Imazhi i katër pleqve të veshur me rrobat më të mira, me fenerë në dorë, të ulur para dritares së gruas (interpretuar nga Ola Harizaj) është vërtet argë­ tuese. Për të sjellë këtë dramë, Budina rimerr një pjesë të mirë të aktorëve, me të cilët ka bashkëpunuar në “Ballkan Bazar”, si Laert Vasili, Nikolla Llambro apo Artan Islami. Me sa duket, Budina ndihet komod dhe i sigurt në interpretimin e këtyre aktorëve. Edhe kësaj here Laert Vasili nuk iu nda rolit të “djalit të keq”. Nga djali që shet kockat e gjyshit në Kosinë, bëhet djali plëngprishës, deputeti i korruptuar, që kërkon t’i mbyllë gojën të atit duke e mbyllur në azil.

Ndërsa Llambro interpreton në rolin e Markos, një shoku të Janit, që përveçse është ca qejfli femrash, për para, por edhe nga fika, është gati të shesë edhe mikun më të mirë. Filmi ka një temp të vetin, të shtrirë, të ngadaltë, si ecja e kërrusur e Janit, i thyer nga gjithçka që ndodh përreth. Duke i veshur një dritë natyrale, si një gjest i vogël në mbrojtje të ambientit, por edhe për ta sjellë imazhin sa më real, të veshur nga smogu i ditës. Budina operon edhe me simbolet. Një balonë shprese, fillin e së cilës ai e këput, unaza e martesës që e shoqja i kishte lënë amanet apo lëmshi që pështillet e çmbështillet në fillim të filmit, si filli i Arianës, që të nxjerr nga labirinthi e të kthen në shtëpi. /Alma Mile