
GJKKO konfiskon apartamentin e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja
Dritare.net
GJKKO-ja ka konfiskuar apartamentin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Deda është shpallur fajtor për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.
VENDIMI:
"Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 22.04.2022 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konfiskimin e pasurisë së paluajtshme në zotërim të subjektit Bashkim Dedja, të pasurisë me nr. ****, apartament me sipërfaqe 60 m2, vol. ****, fq. **** e ndodhur në zonën kadastrale ****”, person i lidhur L.D. 2.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 3, 4, 6, 7, 11, 12, 21, 22, 24, 27 pika 2 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”(të ndryshuar), me vendimin Nr. 5, datë 24.04.2025, vendosi:
Konfiskimin e pasurisë të paluajtshme (apartament) të regjistruar me Nr. ****, volumi ****, faqe ****, me sipërfaqe 60 m2, ndodhur në zonën kadastrale ****, Njësia Administrative ****, Bashkia ****, rregjistruar në emër të shtetasit L.D, të sekuestruar me vendimin nr. 08, datë 20.04.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kalimin e saj në favor të shtetit, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
Urdhërohet sekretaria e gjykatës, t’i dërgojë një kopje të tij Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit. 3. Shpenzimet gjyqësore sikurse janë bërë.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.", thuhet në vendim./K.C/dritare.net

















