Të gjithë të kenë kujdes pas marsit 2027! Flet Dash Sula
Dritare.net

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, paralajmëron një ndryshim rrënjësor në mënyrën si kontrollohen bizneset në Shqipëri. Në një intervistë për emisionin Shqip nga Dritan Hila në Dritare TV, ai tha se nga marsi i vitit 2027 inspektimet nuk do të planifikohen më "me dorë". Sipas tij, subjektet do t'i përzgjedhë një sistem digjital sipas nivelit të riskut, e jo inspektori.
"Sot i pëlqen fytyra jote ose nuk i pëlqen dhe i lind ideja inspektorit të shkojë te ajo rrugë, te ajo lagje, te ai fshat. Kjo do të marrë fund njëherë e përgjithmonë", tha Sula. Ai shtoi se ka nisur procedura e tenderimit për dixhitalizimin e gjithë sistemit të inspektimit.
Nga 16 inspektoriate në 6 ose 7
Sula tha se reforma që po zbatohet do t'i shkurtojë inspektoriatet qendrore nga 16 në 6 ose 7. Si shembull përmendi bashkimin e AKU-së me inspektimet e veterinarisë, bimëve dhe peshkimit. Sipas tij, qëllimi është që bizneset të mos "bezdisen nga trupa të ndryshme inspektimi në çdo kohë". Ai pranoi edhe problemet brenda institucionit. Sipas tij, për 30 vjet inspektoriatet janë parë si vende pune për militantë jashtë kritereve. Në disa prej tyre, tha Sula, inxhinierët ishin vetëm rreth 1 për qind. Ai paralajmëroi largime nga puna për ata që nuk plotësojnë kriteret dhe rekrutime të reja.
Kamera me inteligjencë artificiale dhe uniformë për çdo inspektor
Inspektori i Përgjithshëm njoftoi se deri në fund të vitit inspektorët do të pajisen me kamera inteligjente. Sipas tij, çdo inspektim pa video do të jetë i pavlefshëm. Ai tha gjithashtu se në buxhetin e vitit 2027 janë parashikuar uniforma të posaçme, që inspektorët të identifikohen kudo ku shkojnë. Sula tha se inspektimet do të bëhen vetëm me njoftim paraprak, sipas vendimit të kryeministrit dhe asaj që parashikon ligji. "Qëllimi nuk është gjobitja, por që subjekti të korrigjohet", u shpreh ai. Qytetarët dhe bizneset, sipas tij, mund të denoncojnë shkeljet ose kërkesat për ryshfet edhe në mënyrë anonime, përmes portalit dhe numrit të gjelbër.
"Dikush përdori emrin tim"
Sula rrëfeu se dikush kishte përdorur emrin e tij për t'i bërë presion një biznesi në jug të vendit. "Shansi është zero që të vijë nga unë, qoftë edhe fëmija im, qoftë kunati im", tha ai. Sipas tij, ndaj dy personave janë nisur procedura disiplinore dhe ata do të largohen nga detyra. Ai bëri të ditur se ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Policinë e Shtetit dhe Inteligjencën Financiare dhe se po negocion një marrëveshje me SPAK-un. Sipas Sulës, një material për një grup që ai e dyshon si të strukturuar i është referuar tashmë SPAK-ut. Ai përmendi edhe problemin e mishit që, sipas tij, futet në Shqipëri përmes Kosovës, dhe një marrëveshje që po përgatitet me inspektoratin kosovar. Për presionet në sektorin e ndërtimit, ish-prokurori me 15 vjet përvojë tha se ka vetëm një parim: "Mos u përzi dhe ke fituar."
Rama apo Berisha?
I pyetur me cilin kryeministër ka pasur komunikim më të mirë, Sula tha se Sali Berisha, në periudhën kur ishte kryeministër, ishte "më i ftohtë, më institucional". Ndërsa Edi Rama, sipas tij, "të krijon një komoditet përtej normales" dhe nuk kalon "më shumë se 30 minuta" pa iu përgjigjur një mesazhi. Sula pohoi se gjatë shtatë muajve në detyrë kryeministri nuk ka ndërhyrë asnjëherë në punën e tij.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike shpjegoi edhe pse në zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk punoi për PD-në, por për Partinë Socialiste në qarkun e Elbasanit. Arsyeja, sipas tij, ishte se partia "e hodhi në rrugë" në kulmin e karrierës. "Para moralitetit, integritetit tim personal dhe parimeve të mia", tha Sula.
"Burgu duhet të jetë masa e fundit"
Në fund të intervistës, Sula foli për ndryshimet në Kodin Penal. Ai kujtoi se si prokuror në Elbasan detyrohej të arrestonte njerëz "për dy rrënjë kanabisi në saksi". Sipas tij, gjykatës duhet t'i jepet mundësia për masa alternative dhe arresti në burg duhet të jetë masa e fundit, me përjashtim të krimeve të rënda.
"Fama dhe emri kanë mbetur ndër shekuj. Pasuria nuk ka mbetur as e mbretërve", u shpreh Sula./dritare.net