Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sot nis viti i ri shkollor, mbi 340 mijë nxënës në të gjithë vendin!

1789364545_nxenes.jpg

Në të gjitha shkollat e vendit nis sot viti i ri mësimor. Mbi 340 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës, me rreth 25 mijë nxënës që nisin për herë të parë shkollën.


Ky vit i ri shkollor 2026-2027 vjen me risi dhe investime të rëndësishme në institucionet arsimore. MAS në të gjitha shkollat e vendit ka shpërndarë tekstet shkollore për vitin e ri shkollor, ndërsa për herë të parë, i gjithë cikli i arsimit fillor, nga klasa e parë deri në klasën e pestë, është pajisur me tekste shkollore të reja dhe falas.


Ndërkohë 53 shkolla të reja ose të rehabilituara hapin dyert këtë vit shkollor, ndërsa më herët Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka bërë të ditur se janë miratuar edhe 39 projekte të tjera për rikonstruksionin e shkollave. ​

Me fokusin për sigurinë në shkolla, këtë vit do të jenë në shërbim të nxënësve mbi 400 oficerë sigurie, të cilët do të punojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara. Paralelisht vëmendje i është dhëë edhe shërbimit psiko-social, me 900 psikologë dhe punonjës socialë që do të jenë të pranishëm në shkollat e vendit gjatë vitit shkollor 2026–2027, për t’iu përgjigjur nevojave sociale dhe emocionale të nxënësve. 20 shkolla të Tiranës janë pjesë e projektit pilot “Smart City”, me kushte të shtuara sigurie përmes kamerave inteligjente.


Për herë të parë 408 shkolla në mbarë vendin janë pjesë e programit “Pas shkolle”, duke u krijuar nxënësve mundësi për të mësuar, argëtuar dhe zhvilluar talentet e tyre në një mjedis socializimi dhe edukimi. Programi përfshin disa fusha, ndër të cilat “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, muzikë, teatër, kërcim, zeje dhe arte pamore. Përmes këtyre aktiviteteve synohet që nxënësit të kenë akses në orë cilësore pas mësimit, të zhvillojnë potencialin dhe aftësitë e tyre, si dhe të krijojnë më shumë mundësi për socializim.