
Ku do të ishte Shqipëria sot, po të kishte politikanë si Norvegjia! Flet biznesmeni!
Dritare.net
Biznesmeni Bujar Zhuri, që jeton prej 30 vitesh në Norvegji foli se si do të ishte vendi ynë, nëse nuk do të vidhej nga njerëzit që kanë qeverisur. Zoti Zhuri tha se të zgjedhurit duhet të kenë mision mirëqenien e popullit dhe jo të lakmojnë jetën e luksit. Nëse vjedh, nuk arrin dot të zhvillosh Shqipërinë, kështu u shpreh zoti Zhuri.
“Kam një keqardhje për situatën në vend. Klasa jonë politike nuk funksionon si në Norvegji, që kryetari i Parlamentit merr valixhen dhe ikën me tren ose biçikletë në zyrë. Nuk i bën përshtypje.
Shefja e Prokurorisë vinte me biçikletë dhe kur e takonin prokurorët tanë, kur ndiqnin çështjen Hajdari asokohe. Habiteshin. Njerëzit aty janë shumë të thjeshtë, vlerësojnë personalitetin e tyre. Kur janë në poste të larta, e shohin, veten në shërbim të qytetarëve.
Unë ju jap një shembull.
Ish-ministri i Financave në Suedi, kishte një stallë lopësh dhe shkonte jetonte me studentët në një dhomë me qira në Stockholm. Kështu ka punuar ministër. Unë nuk them që klasa jonë politike do të vijë në nivelin e tyre, por duhet që të provojnë të bëjnë më të mirën në shërbim të vendit. Ne jemi kalimtar në këtë botë, asgjë nuk do marrim me vete. Postin duhet ta shohin si garë, se çfarë do të bëjë më mirë dhe qytetarët të jenë sa më të lumtur. Kështu është bërë Norvegjia, të gjithë ata që kanë ardhur e kanë vlerësuar detyrën si mision; t’i shërbejnë të gjithëve. Kjo është dhe arsyeja se pse vendet skandinave, konsiderohen si vendet më të lumtura, edhe pse kanë kushtet klimatike më të këqija.
Kushtet ekonomike, sociale, janë arsyet që norvegjezët jetojnë të lumtur në shtetin e tyre.
Unë kam qenë pionier i Shqipërisë dhe Sarandës, si destinacion nordikësh. Janë gati 600 norvegjezë që kanë marrë banesa në Sarandë, i lëshojnë me qira, i frekuentojnë për pushime etj. Dëshira është e madhe për norvegjezët që të vijnë dhe investojnë në Shqipëri”, tha zoti Zhuri./M.K-dritare.net

















