Na ndiqni edhe në

Shqip

Festa që mblodhi bjeshkatarët në Bogë!

Festa që mblodhi bjeshkatarët në Bogë!

Mes Alpeve hijerënda që e rrethojnë, Boga priti e përcolli mijëra njerëz që kënduan, kërcyen e gëzuan në “Festën e Çobanit” e cila u mbajt më 15 dhe 16 qershor. Ishte sipërmarrësi i Kullës dhe Bunit të Bajraktarëve, zoti Gëzim Olaj, që e organizoi këtë festë në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.


Zoti Olaj erdhi sonte në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të treguar “Festën e Çobanit”, që bëri bashkë bjeshkatarët e Alpeve, shoqatat kulturore nga Mali i Zi, nga Plava e Gucia, nga Rugova e Kosovës, nga Ulqini, nga Vlora që me ansamblin “Bilbilat e Labërisë” i këndoi Bogës së blertë.

Festa që mblodhi bjeshkatarët në Bogë!

I gjithë organizimi festiv ishte i lidhur ngushtë me Xhubletën, në prehrin e së cilës u rritën barinj rrëzë Alpeve Shqiptare.

Festa që mblodhi bjeshkatarët në Bogë!

Dasma tipike malësore që u organizua posaçërisht për të treguar si e kremtojnë dashurinë bjeshkatarët e Alpeve, me këngë e vallë, sofra të shtruara me ushqime tradicionale, ishte momenti më i bukur i festës.

Festa që mblodhi bjeshkatarët në Bogë!

Ndërsa pika kulmore ishte kur bjeshkatarët parakaluan me gjedhët e tyre, dhie e dele, mes të cilave u zgjodh me juri dhe dashi më i bukur i tufës, që në fund mori edhe një çmim simbolik.

Festa që mblodhi bjeshkatarët në Bogë!

Zoti Olaj thotë se me këtë festival përcollën më së miri traditat, doket dhe zakonet e bjeshkatarëve, për t’u lënë një gjurmë edhe të rinjve, brezit të ardhshëm që të mos harrojë ku i ka rrënjët. Se janë rrënjë të forta, që i ka ngulitur Xhubleta dhe shtegtimi i bagëtive, për të cilat njihet shumë Malësia.

“Unë kam kohë që e kam menduar Festën e Çobanit. Festa u mbaj më 15 dhe 16 qershor në darkë. Mes malësorëve të Bogës, ajo është Festa e Bjeshkatarëve. Në fillim ishim pak skeptikë për këtë festë, si do ta organizonim, por doli një festë e jashtëzakonshme dhe me shumë vlera kulturore që mblodhi jashtëzakonisht shumë njerëz në Bogë. Patëm shumë aktivitete, çdo gjë që ka të bëjë me çobanin, me kulturën tonë, me xhubletën tonë. Sepse Xhubleta është tipike e Malësisë së Madhe dhe e kemi regjistruar në UNESCO. Tani do regjistrojmë edhe shtegtimin në UNESCO.

Festa që mblodhi bjeshkatarët në Bogë!
Arsyeja pse jam kthyer të investoj në Bogë është për vendin tim, për kulturën e traditën, por mbi të gjithë për të trashëguar atë te të rinjtë, te brezat e ardhshëm. Sepse këto veshje janë të jashtëzakonshme dhe nuk i sheh gjithë kohës.

Festa që mblodhi bjeshkatarët në Bogë!
Për të performuar në këtë festë erdhën edhe një grup prej 40 vetash nga një shoqatë e Malit të Zi, por edhe shumë vetë nga Plava dhe Gucia, patëm grupe nga Kosova, nga Ulqini. Nga Vlora, erdhi Ansambli “Bilbilat e Labërisë” që i kënduan Bogës.

Festa që mblodhi bjeshkatarët në Bogë!

Gjatë festës ne bëmë edhe ritin e martesës së malësorëve. Nusja me Xhubletë, nusja që është thirrur rreth gacave të zjarrmit. Nusja që i kemi vënë djalin në prehër që të lindë djalë, i kemi dhënë dhe një dhuratë, nusja kur del nga shtëpia që e këndojnë.

Festa që mblodhi bjeshkatarët në Bogë!

Treguam edhe sofrat, e burrave dhe grave në dasmë, çfarë ushqimesh ka njëra dhe tjetra. Pra në këtë aktivitet jemi munduar të pasqyrojmë më të mirën e traditës sonë. Të promovojmë, kulturën, doket dhe zakonet tona. Në festë ishin dhe çobanët me bagëtitë e tyre dhe një juri që vendoste se kush ishte dashi më i mirë që do merrte dhe një çmim simbolik.

Festa që mblodhi bjeshkatarët në Bogë!
Si u organizua festa!
Ne kemi tre muaj që punojmë me organizmin e festës. Kjo ishte hera e parë, por do e përsërisim prapë. Kjo festë e bjeshkatarëve shqiptarë do të jetë çdo vit. Sivjet ishin dhe shumë turistë të huaj që na ndiqnin, bënin foto. Ndaj duam ta rikthejmë, për shqiptarët dhe të huajt që na vizitojnë sa herë.”, tregon zoti Olaj për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV./K.C/dritare.net