 
		                       Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Presidencës. Dekreti i Begajt do të shqyrtohet në themel të çështjes për Veliajn
Dritare.net

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar me vendim unanim kërkesën e Presidencës që të përjashtohej si palë në çështjen e ankimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Presidenca kishte kërkuar që Gjykata të mos shqyrtonte dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet në Tiranë, duke argumentuar se ai nuk mund të jetë objekt gjykimi nga Kushtetuesja.
Por trupa gjykuese e Gjykatës Kushtetuese vendosi që dekretin presidencial ta trajtojë si pjesë të themelit të çështjes, duke theksuar se për këtë element do të vendoset në fund, bashkë me të gjitha aspektet e tjera të padisë.
“Çështja e juridiksionit të Gjykatës për shqyrtimin e dekretit të presidentit është e lidhur me themelin e mosmarrëveshjes. Kërkesa juaj nuk pranohet në këtë fazë të shqyrtimit, por do të trajtohet si pjesë e themelit të çështjes,” deklaroi gjyqtarja Holta Zaçaj gjatë seancës.
Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese i hap rrugë shqyrtimit në thelb të ankimit të Veliajt, që kundërshton procedurat e nisura për shkarkimin e tij dhe kërkon rikthimin e rendit kushtetues në procesin e zhvillimit të zgjedhjeve në Tiranë./L.F-dritare.net
 
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                       