Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Seancë në Kushtetuese për shkarkimin e Veliajt. Presidenca kërkon përjashtimin nga gjykimi i dekretit të Begajt

Seancë në Kushtetuese për shkarkimin e Veliajt. Presidenca

Në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet seanca lidhur me kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së procedurës së shkarkimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Debati në sallë është përqendruar tek roli i Presidencës dhe vlefshmëria e dekretit të Presidentit Bajram Begaj për Tiranën.

Përfaqësuesit e Presidencës kërkuan që institucioni i Kreut të Shtetit të mos jetë pjesë e këtij procesi gjyqësor, duke argumentuar se dekretet presidenciale nuk janë objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese.

“Nuk mund të shqyrtojë një akt administrativ. Zgjedhjet në Tiranë u bllokuan dhe duhet të kthehet kushtetueshmëria. Paraqesim kërkesën që të anuloni vendimin për përfshirjen e dekretit në këtë shqyrtim,” deklaroi përfaqësuesi i Presidencës.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Këshilli i Ministrave, i cili argumentoi se akti i Presidentit nuk mund të gjykohet në këtë fazë.

Në anën tjetër, mbrojtja e Erion Veliajt theksoi se Gjykata Kushtetuese është kompetente për shqyrtimin e çështjes, përfshirë edhe aktin e presidentit. “Mendojmë se GJK është kompetente për shqyrtimin e kërkesës sonë edhe për aktin e Presidentit. Procesi për ne ndahet në dy faza — propozimi dhe vendimmarrja — dhe garancia kushtetuese aktivizohet automatikisht me paraqitjen e kërkesës. Asnjë institucion, përfshirë Presidencën, nuk duhet të ndërhyjë derisa Gjykata e Lartë të shprehet,” tha përfaqësuesi ligjor i Veliajt.

Seanca në Gjykatën Kushtetuese pritet të vijojë me dëgjimin e palëve dhe vendimi do të përcaktojë nëse dekretet presidenciale mund të përfshihen në shqyrtimet që lidhen me procedurat e shkarkimeve të kryebashkiakëve.