Shpërthimi tragjik në Athinë/ Kush ishin shqiptarët që humbën jetën, një çift ishte në muaj mjalti
Dritare.net

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Athinën, ku gjashtë persona humbën jetën pas shpërthimit të fuqishëm dhe shembjes së një ndërtese në zonën historike të Plakës. Mes viktimave janë edhe shqiptarë, ndërsa një prej çifteve ndodhej në Greqi për muajin e mjaltit.
Operacioni i kërkim-shpëtimit në rrënojat e ndërtesës në rrugën Lysikratous përfundoi me gjetjen e trupave të të gjashtë personave që rezultonin të zhdukur. Forcat zjarrfikëse dhe ekipet speciale EMAK punuan për orë të tëra mes rrënojave.
Sipas mediave greke, katër prej viktimave ishin turistë që qëndronin në një apartament me qira në ndërtesë. Mes tyre ishin Florinda Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick, si dhe Florin Hoxha dhe partnerja e tij. Raportimet bëjnë të ditur se tre prej katër personave kishin origjinë shqiptare dhe shtetësi amerikane.
Historia bëhet edhe më tragjike pasi Florinda Hoxha dhe Ian Alexander Kirkpatrick ishin martuar së fundmi dhe kishin udhëtuar drejt Greqisë për muajin e mjaltit. Një i afërm i tyre kishte kërkuar informacion për çiftin pas shpërthimit, ndërsa në rrënoja ishin gjetur dokumente që lidhnin turistët me ndërtesën.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, çifti tjetër që ndodhej me ta ishte në pritje të një fëmije.
Dy viktimat e tjera ishin një çift i moshuar që banonte në katin e sipërm të ndërtesës. Mediat greke raportojnë se bëhej fjalë për një grua greke dhe një burrë britanik.
Shpërthimi i fuqishëm ndodhi mëngjesin e së premtes, 25 shtator, rreth orës 07:30, në një ndërtesë të vjetër në rrugën Lysikratous, në zemër të Plakës. Forca e shpërthimit shkaktoi shembjen e ndërtesës dhe dëme të konsiderueshme në godinat dhe automjetet përreth. Një kalimtar u plagos lehtë, ndërsa dy gra u nxorën nga një ndërtesë fqinje dhe u dërguan në spital.
Hetimet për të përcaktuar shkakun e tragjedisë vijojnë. Një nga pistat kryesore që po shqyrtohet është rrjedhja e gazit, pasi dëshmitarë kanë raportuar se kishin ndier një erë të fortë gazi përpara shpërthimit. Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë ende një përfundim zyrtar për shkakun./dritare.net