Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Kulti i individit, kjo shëmti e tmerrshme 

Kulti i individit, kjo shëmti e tmerrshme 

Dr. Engjëllushe Zenelaj

Unë kam nevojë të ushqej mendjen dhe zemrën shqip, andaj ndalem në çdo lloj programi që mund të flasin profesorë.

Të dielën kishin ftuar prof.Përparim Kabon në një program televiziv. Ai foli gjatë dhe shumë por në shumë pak kohë televizive, ose të paktën kështu mu duk mua. Kurrikulumi i prof. Përparim Kabos është kaq i madh sa që ai mund të flasi pa fund për librat, studimet, shkrimet, filozofinë, artin, për arritjet e tij, për renditjen dhe indeksimin në bibliotekat e huaja. Çdo fjalë e profesorit është një mesazh më vete dhe në fakt si të gjithë parafolësit e tij, unë prisja që ai të tregonte për veten, për rrugëtimin e jetës së tij. Por çuditërisht, ai nuk foli gjatë për familjen e tij, nuk hiperbolizoi apo mitizoi asnjë prej pjesëtarëve të familjes nga vinte vetë dhe as të familjes që ka krijuar ai.

Intervista interesante filloi nga kopshti. Ai foli për shokët dhe shoqet e kopshtit, shokët dhe shoqet e shkollës fillore, shokët dhe shoqet e maturës. I përmendi të gjithë me emër, me mbiemër, arritjet dhe rrugëtimin e tyre, theksoi nga një vlerë për secilin prej tyre, madje kishte aq informacion sa që edhe ata që kishin ndërruar jetë i përmendi. Ai përmendi edhe mësueset duke shprehur mirënjohje ndaj tyre për të gjithë kontributin që kishin dhënë në formimin e tij. Ai na tregoi shumë për veten duke folur për të tjerët. Dhe kur i shkruajta një mesazh dhe i thash: “Prof., Ju ftuan Juve në një program televiziv dhe Ju folët për veten duke folur për të tjerët”, ndërsa përgjigja e tij etalon: “Po, sepse pa shokët e shoqet je i vetëm”.

Ne shqiptarët jemi mësuar dhe edukuar me shprehjen: “Trimi i mirë me shokë shumë”, por politika dhe intelektualët e vetëshpallur të partisë dhe nga mediat në këtë periudhë oklokracie ngatërrojnë këtë shprehje me kultin e individit...Në këtë vorbullën e gjithollogëve mediatik, në këtë kulmin e kurbës së padijes ku mediat na kthejnë dhe na imponojnë antivlerat si vlerë, sidomos në këtë momentin e diskutimeve të rezultatit post-zgjedhor, intervista e Prof.Kabos na vjen si një leksion magjik.

Në çdo media vizive apo online gjen pafund njerëz që flasin si duhet bërë, si duhet gjetur zgjidhja, por askush nuk flet duke ofruar kontributin real dhe të vërtetë. Pra të gjithë nxitojnë të kritikojnë të shkuarën, të gjithë ngadalësojnë të hedhin hipoteza për të ardhmen dhe të gjithë ngecin të veprojnë në të tashmen. Në këtë mënyrë, harrojnë se koha ecën pa ndalim dhe pa kuptuar e tashmja bëhet e shkuar, dhe e ardhmja bëhet e tashme, e ndërsa ne qëndrojmë në vend numëro me monologë dhe replika humbje kohe...

Një profesor, një lektor, pra ai bën atë që di të bëjë më mirë, dhe, edhe në një intervistë në media jep leksionin dhe mesazhin në mënyrë spontane.

Po politika? Ah, politika vazhdon me kultin e individit. “Fajin e ka ai dhe kjo zgjidhet vetëm me mua, ndaj duhet ta drejtoj vetëm unë, sepse vetëm unë kam të drejtë të kandidoj, dhe vetëm unë duhet të vendos,...duke harruar shprehjen se “Pushteti absolut djeg dhe përvëlon duart e atij që e mban.

Po mediat? Ah, mediat vazhdojnë me parimin “topi është i imi, penalltinë e gjuaj unë” kohën televizive e kam unë dhe shpërdoroj si të dua./dritare.net