Historia e mjekut italian që gjeti strehë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore
Dritare.net

Ky është rrëfim i jashtëzakonshëm i Lia Tosit, vajzës së Carlo Tosit, mjekut dhe oficeri Italian, që tregon historinë e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Dritare TV ishte në shtëpinë e zonjës Tosi, në Firence, për të dokumentuar këtë histori të jashtëzakonshme, por të patreguar kurrë në shqip.
Babai i Lias u mobilizua në ushtrinë fashiste italiane në vitin 1940 dhe u dërgua fillimisht në frontin francez, pastaj në mars të vitit 1941 erdhi në Shqipëri me Divizionin “Firenze”. Pas kapitullimit të Italisë më 8 shtator 1943, divizioni “Firenze” ndodhej në Dibër. Divizioni pavarësisht urdhërave për t’iu dorëzuar gjermanëve, refuzoi. Ata u bashkuan me partizanët shqiptarë të cilët i pritën dhe luftuan bashkë kundër trupave gjermane, duke formuar njësi të përbashkëta si batalioni “Gramsci” dhe “Matteotti”.
Pas luftimeve në Krujë, pjesëtarët e divizionit u shpërndanë dhe shumë prej tyre u strehuan nga familje shqiptare. Babai i rrëfyeses, Carlo Tosi u dërgua në zonën e Matit, në fshatin Bashtari, ku punoi si bari bashkë me ndihmësin e tij, Gino Fratini. Vajza e tij Lia Tosi, tregon për Dritare TV një letër nga babai në maj të 1944, e shkruar nga ai, por e firmosur me emrin e një shqiptari, Ismail Laçi, nga Guri i Bardhë, ku njoftonte se ai dhe Fratini ishin gjallë dhe mirë.
Në përpjekje për të ndriçuar një kapitull të jashtëzakonshëm dhe pak të treguar të historisë shqiptare, Dritare TV do të transmetojë një seri intervistash që do të kulmojnë me një dokumentar që do të transmetohet në nëntor.
Ky projekt ambicioz synon të rikthejë në vëmendjen e publikut historinë e shpëtimit të rreth 25–30 mijë ushtarëve italianë nga familjet shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Projekti i Dritare Televizion ka për qëllim të plotësojë një boshllëk historik, duke sjellë dëshmi, intervista me historianë dhe rrëfime të dëshmitarëve të fundit./L.F-dritare.net