Na ndiqni edhe në

Editorial

Kurthi që duhet t’i shmangen shqiptarët!

Kurthi që duhet t’i shmangen shqiptarët!

Nga Dritan Hila

Kërkesa për ndjekje penale për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe disa figura të tjera komanduese të UÇK-së ka ngjallur një valë reaksioni në popullatën shqiptare ku parulla kryesore është se ne ishim viktimat dhe jo agresorët.

Në këtë pikë që kanë arritur gjërat, duhet pasur parasysh që t’i ruhemi frustrimit, humbjen e qartësisë dhe ca më keq, që të biem në nacionalizëm të sëmurë.

Duhet ta kemi të qartë që në optikën e secilit prej kombeve që u përfshinë në plojën jugosllave, ata janë viktima. Viktima e shikojnë veten kroatët në raport me serbët, boshnjakët në raport me serbët, për të arritur kulmin me serbët që e shohin veten viktima në raport me historinë dhe botën.

Mirëpo të gjitha këto kombe, me të mirë apo të keq, kanë çuar disa eksponentë të këtyre luftërave para gjykatës së Hagës. Secili prej të akuzuarve ka qenë hero në sytë e popullit të tij qoftë para apo edhe pas gjykimit; qoftë i dënuar apo i falur nga kjo gjykatë.

Ndërsa problemi i shqiptarëve është ca më ndryshe.

Lufta jonë filloi disa vite pasi luftërat e ish-Jugosllavisë kishin mbaruar.

Kosovarët nuk kishin njësi paraushtarake rezerviste, siç kishin popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë. Më shumë rezistenca e tyre ishte me bazë klanore. Si e tillë edhe vështirë e organizueshme për spastrim etnik.

Serbia ndërkohë kishte gjithë kapacitetet e saj ushtarake dhe të paramilitarëve që të përqendrohej në Kosovë, pa përmendur eksperiencën e saj në luftërat etnike dhe kamuflimit të tyre.

Vetë raporti i viktimave të pasluftës tregon se kush gjendej përballë pushkës dhe kush e mbante atë.

20 vjet kanë qenë të mjaftueshme që ndërkombëtarët të evidentonin kriminelët shqiptarë. Por nuk i ndihmoi për këtë qëllim as urrejtja e Carla Del Pontes ndaj shqiptarëve dhe UÇK-së, që duket qartë në librin e saj “Gjuestia”, dhe as hulumtimet në terren. Pavarësisht se duket e çuditshme që shqiptarët nuk kanë bërë as gjenocid dhe as spastrim etnik, ka një këmbëngulje që edhe luftën e Kosovës ta fusin në klishetë e luftërave të ish-Jugosllavisë. Tashmë është evidente se kjo më shumë sesa për krime të ndodhura realisht, ka lidhje me gjeopolitikën. Dhe si e tillë duhet pasur kujdes në kundërpërgjigjet që mos biem në batakun e frazeogjisë që fundosi Serbinë.

Në këtë kuadër, fjalimi i kryeministrit shqiptar ishte i nevojshëm, për vetë faktin se bëhet nga tribuna e parlamentit dhe nga figura kryesore e shtetit. Por tanimë ajo që duhet të jetë arma kryesore, është diplomacia.

Është e shkruar që jeta e shumë prej ish-komandantëve të UÇK-së do të kalojë edhe për shumë kohë në kalvarin e përndjekjeve gjyqësore dhe do të përdoren si koka turku për interesa më të mëdha. Ashtu sikurse parë nga ana jonë, emrat e tyre janë një aset që dëshmon luftën dhe identitetin shqiptar të Kosovës. Por shpëtimi i emrit të tyre dhe nderit të tyre, tash e mbrapa më shumë sesa reagime sheshesh dhe rrjetesh sociale, duhet të jetë reagim diplomatik duke vënë në lëvizje miqtë dhe aleatët. Kjo është pak e vështirë pasi ata që përkrahën dhe bënë luftën e Kosovës, Klinton, Ollbrajt, Fisher, Dalema, janë në pension. Ndërsa të rinjtë e sotëm nuk kanë asnjë ndjesi, madje ca më keq, mund ta shikojnë Kosovën edhe si monedhe shkëmbimi. Kurse për ne nuk ka rëndësi a na pëlqen Hashimi, Kadriu apo Ramushi, por të shpëtojmë fytyrën dhe emrin e asaj lufte. Pasi është ajo luftë dhe këta emra, si një ndër gurët e themelit të Republikës së Kosovës. Nëse bien ata, bie edhe hipoteka më e madhe që ka kjo republikë./dritare.net