Na ndiqni edhe në

Shëndet

Një shishe ujë nuk mjafton!Si të mbroheni nga i nxehti!

Një shishe ujë nuk mjafton!Si të mbroheni nga i nxehti!

Në një intervistë për Dritare TV, mjekja kardiologe Engjëllushe Hasani dha disa këshilla të rëndësishme për përballimin e temperaturave të larta, veçanërisht për personat me probleme kardiovaskulare dhe grupe të tjera të rrezikuara.

Sipas saj, të moshuarit që kanë vështirësi për të konsumuar ujë duhet të ndihmohen me mënyra alternative për të ruajtur freskinë e trupit. Një zgjidhje praktike është vendosja e copave të akullit në peceta, të cilat mund të aplikohen në zonat ku qarkullimi i gjakut është më i lartë, si qafa apo kyçet e duarve.


Mjekja theksoi se grupet më të rrezikuara nga i nxehti janë: personat me sëmundje të zemrës,
ata me diabet, astmë bronkiale, obezitet,
probleme me tiroiden,
anemi dhe çrregullime të tjera kronike.

Këta individë e kanë më të vështirë të përballojnë temperaturat ekstreme dhe duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm.

“Simptomat si lodhja e pazakontë, rrahjet e shpeshta ose të çrregullta të zemrës dhe dobësia duhet të nxisin konsultim të menjëhershëm mjekësor,” paralajmëroi Hasani.

Ajo rekomandoi që personat me probleme serioze kardiake të shmangin ekspozimin në diell dhe daljet gjatë orëve të pikut, duke preferuar lëvizje të lehta vetëm në mëngjes herët ose në mbrëmje.

Uji është shpëtim: Sa duhet të pimë?

Një tjetër theks i rëndësishëm i dhënë nga mjekja ishte hidrimi i duhur. Ajo sqaroi se trupi i njeriut përbëhet rreth 60% nga uji, ndaj mungesa e tij ndikon direkt në funksionimin e zemrës dhe të organizmit në tërësi.

Hasani këshilloi:

Gratë të konsumojnë rreth 2 litra ujë në ditë
Burrat rreth 3 litra ujë në ditë


Uji duhet të jetë i freskët, por jo i ftohtë, për të mos shkaktuar shok termik apo probleme të tjera gastrointestinale.


Megjithatë, ajo paralajmëroi se kjo sasi nuk vlen për të gjithë. Pacientët me insuficiencë kardiake të avancuar (klasa III dhe IV) duhet të konsultohen domosdoshmërisht me kardiologun për të përcaktuar sasinë e lejuar të lëngjeve.