Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rudina Xhunga, një përqafim si nënë për nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara

Rudina Xhunga, një përqafim si nënë për nënat e

Mes muzikës, kërcimeve dhe përqafimeve, gazetarja Rudina Xhunga vizitoi Qendrën Komunitare për Personat me Aftësi të Kufizuara në Tiranë. Takimi u kthye në një bashkëbisedim të ngrohtë me të rinjtë, nënat dhe stafin e qendrës, me një mesazh të qartë: mbështetja duhet të shprehet me praninë dhe angazhimin e secilit.

Xhunga iu bashkua atmosferës së gëzueshme, duke ndarë edhe një “sekret” që solli të qeshura mes të pranishmëve.

“E dini që unë kam një sekret? Do t’jua them vetëm juve: nuk di të kërcej!”, tha ajo, ndërsa u kërkoi të rinjve ta mësonin dhe premtoi se herën tjetër do të kërcente bashkë me ta.

Por momenti më emocional ishte kur gazetarja iu drejtua nënave. Duke folur edhe si nënë, ajo shprehu vlerësimin për forcën e tyre dhe për punën e përditshme që shpesh mbetet larg vëmendjes së të tjerëve.

“Ju dua shumë. Jeni shumë të zonja. Si nënë që jam vetë, ju kuptoj”, u shpreh Xhunga.

Përballë mesazhit “Nuk je vetëm”, të vendosur në qendër, ajo theksoi nevojën që këto fjalë të shoqërohen me ndihmë konkrete. Sipas saj, familjet nuk duhet ta përballojnë të vetme gjithë përgjegjësinë, ndërsa secili mund të ndajë pak nga koha dhe mundësitë e veta.

“Duhet të vijmë të mësojmë të kërcejmë me fëmijët tuaj, të mësojmë të lexojmë, të hamë bashkë, të qeshim bashkë, të gatuajmë bashkë”, tha gazetarja.

Drejtoresha e falënderoi për vizitën, duke e përshkruar qendrën si një vend “ku dashuria është pa kushte”. Gjatë bashkëbisedimit u fol edhe për shërbimet që ofrohen falas, përfshirë fizioterapinë, trajnimet dhe aktivitetet, si dhe për nevojën për më shumë staf.

Xhunga u bëri thirrje nënave të shprehin nevojat e tyre dhe të kërkojnë mbështetje. Njëkohësisht, ajo ftoi njerëzit që e ndjekin të angazhohen si vullnetarë.

“Ejani në këto oaze pafajësie. Ndihmojmë këta djem e vajza, nënat e tyre dhe veten”, u shpreh gazetarja.

Vizita u mbyll me plane për takimin e ardhshëm. Mes dëshirave për shëtitje, fotografi dhe aktivitete, u bë edhe një premtim: herën tjetër do të gatuanin makarona së bashku.

“Unë do të vij prapë këtu dhe atë ditë do të gatuajmë bashkë. Do t’u kërkoj më shumë njerëzve të vijnë dhe të bëjnë gjëra që ju keni qejf”, premtoi Rudina Xhunga në Qendrën Komunitare./dritare.net