Na ndiqni edhe në

Shqiptar

Riselda Sejdija sjell Rewind

Riselda Sejdija sjell Rewind
Koreografja Sejdija tashmë është edhe autore e 8 monografive të saj shkencore artistike. Sigurisht mes punësh dhe projektesh të rëndësishme, Riselda nuk preferon të rrijë duarkryq. Pas suksesit të baletit kontemporan me një akt , “Risi Moulin” që është mbajtur më 7 shkurt në “TKOB”, koreografja vijoi më tej duke vazhduar me një tjetër balet. “Fenomen”, ishte vepra artistike  e baletit jazz, me një akt që u mbajt në sallën e Universitetit të Arteve në qershor të vitit 2015. Ajo vijon  të përmbushë repertorin e saj dhe me një tjetër vepër artistike me studentët e Universitetit të Arteve me shfaqen,  “Rio De Academy”, e cila u mbajt më 2 korrik të vitit 2016.

Kanë qenë të shumta veprat artistike të dr.Riselda Sejdisë, por sigurisht që ne cituam disa prej tyre, ndoshta ato që kanë lëvizur dhe kanë arritur të shfaqen edhe përtej kufirit shqiptar.

Pas kësaj pune tepër të madhe, koreografja së fundmi po realizon një tjetër vepër artistike, baletin kontemporan jazz me një akt , “Rewind” . Kjo është vepra e parë artistike, që Riselda gërsheton aktrimin me kërcimin. Pikërisht libri i saj me poema “Shpirti Kalendar i Mullirit”, botim i vitit 2015, do të jetë libreti i veprës së re që koreografja do të vërë së shpejti në sallën e madhe të Universitetit të Arteve.

“Rewind” është balet me një akt, i cili është konceptuar dhe ideuar të kërcehet 60 minuta në teknikat Jazz dance. Ky balet përtej emërimit të veçantë dhe tepër të rafinuar që përmban, do të përmbushë përmasat e tij artistike edhe nëpërmjet aktrimit. Në çdo balet ka një libret apo një fabul brenda strukturës, për ta bërë botën e kërcimit më kuptimplotë, por jo gjithmonë është e domosdoshme një histori ku fillon dhe mbaron. “Rewind” prandaj vjen me “Rewind”, sepse ky balet do të rikthejë gjurmët artistike, do të rikthejë  emocionet e forta nëpërmjet artit koreografik.

Ky balet rikthen fletët e shkruara nga përjetime të ndryshme artistike, ku gjithçka ka qenë tepër personale. Nëpërmjet ndjenjës së shkrimit dhe të shprehurit artistikisht “Rewind “ zgjedh si libretin e tij, librin me poema me autore dr.Riselda Sejdija “Shpirti Kalendar i Mullirit”, pikërisht ky do të jetë ai libër, ku poemat do të zënë vendin e ndjenjës së ngjarjes, emocionit, gëzimit, hidhërimit, zhgënjimit, hipokrizisë dhe dashurisë.

Nëpërmjet interpretimit  të aktores së njohur Delinda Zhupa, ky balet do të gërshetohet edhe me zërat e lartë që kërkojnë shpëtimin e tyre ndaj drejtësisë.

Studentët e kursit të dytë (Bachelor) dega koreografisë  Kristina Spahi, Klaudjo Begaj, Alvaro Selimaj, Milirjan Horanlliu do të jenë ata kërcimtarë, të cilët do të zbërthejnë nëpërmjet lëvizjeve të trupit të gjitha interpretimet e poemave nga “Shpirti Kalendar i Mullirit” që do të zotërohen në skenë nga interpretimi i aktores së njohur Dalinda Zhupa. “Rewind”, është një koncept në vetvete përpara se të jetë edhe një titull. Ne duam t’i rikthejmë detajet që mbesin bukur në mendjen tonë, ne duam të mendojmë rewind, ne duam t’i rikthehemi kujtimeve që kanë lënë gjurmë.

Nëpërmjet një konture artistike, pedagogia e Universitetit të Arteve dr.Riselda Sejdija dëshironte që kësaj vepre artistike t’i jepte jetë duke e sjellë atë si një produkt unik, nëpërmjet aktrimit dhe kërcimit. Nuk ndodh shpesh që një koreograf të ketë edhe lapsin e mprehtë edhe të jetë krijues i mirëfilltë, në këtë rast kemi dy mrekulli: lapsi i mprehtë që kërcen bashkë me zërin dhe trupin, të gjitha bashkë vetëm në një vepër artistike, “Rewind”. Koreografja Sejdija në këtë vepër vjen edhe si producente e krijesës së saj, ku vë në provë veten përmes shkrimit, aktrimit dhe kërcimit. “Rewind” balet do të shfaqet në sallën e madhe të Universitetit të Arteve me dt. 4 korrik 2018, ku të gjithë së bashku do të ndajmë emocionet më të bukura që mund të kemi marrë ndonjëherë./dritare.net