Rama thirrje prefektëve, ministrave dhe ushtrisë: Fokusi në Durrës, kontaktoni sy më sy me njerëzit!

Kryeministri i vendit, Edi Rama pas tërmeteve me magnitudë të lartë që ranë dje dhe sot, ka zhvilluar takim me Forcat e Armatosura dhe prefektët. Kryeministri u bën thirrje ministrave dhe prefektëve që të fokusohen te Durrësi, pasi ai është dëmtuar më shumë nga tërmetet dhe njerëzit kanë ende frikë për tërmete të tjera. Instituti i Ndërtimit thotë Rama duhet të vlerësojë dëmet. Rama thotë se duhet të garantohen se nuk do të harrohen personat a familjet e dëmtuara nga tërmetet.

“Sot është një ditë e vështirë për ata që kanë ndjerë më shumë goditjen dhe që janë akoma nën efektin e atij stresi, që do të thotë se është një ditë për t’iu qëndruar afër, për t’iu shpjeguar me qetësi gjërat. Plasaritjet e godinave jo domosdoshmërisht përbëjnë rrezik. Në të shumtën e herës nuk përbëjnë rrezik, pasi janë sipërfaqësore. Është me shumë rëndësi që çdo plasaritje të inspektohet në mënyrë profesionale dhe çdo cenim i dukshëm i çdo pallati të inspektohet në mënyrë profesionale, sepse mund të jetë reagimi i fugës sizmike, por mund të jetë dhe një cenim strukturor që e bën të rrezikshme godinën.

Gjëja e parë që kërkoj është që të gjithë ju, edhe prefektët e ardhur nga qarqet e tjera, të spostoheni në Durrës, me synimin që çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit dhe që dje gjatë gjithë natës ka qëndruar jashtë të kontaktohet. Mbi atë hartë të të dhënave që ka prefektura të bëhet një shpërndarje e forcave dhe çdo familje të konkatohet për t’u dëgjuar. Ju të gjithë këtu, plus strukturat atje të Policisë së Shtetit dhe ato të mirëqenies sociale të organizohen dhe shpërndahen në mënyrë të struktura, me destinacione konkrete, dhe brenda ditës së sotme, para se të vijë nata, duhen kontaktuar të gjithë, sy më sy. Do të angazhohen edhe deputetët, edhe ministrat, sepse është një moment psikolog që kapërcehet me komunikim.

LEXO DHE :  Rama: Do të komunikoj me Macron për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit integrues

E dyta, njerëzit kishin dalë te stadiumi mbrëmë dhe gjëja më e thjeshtë ishte t’iu hapej stadiumi që të mos rrinin në mes të rrugëve. Kështu që sot stadiumi do jetë i hapur dhe i pajisur me të gjithë strukturën akomoduese. Janë rreth 700 shtretër në dispozicion dhe njerëzit mund të shkojnë atje. Gjëja që duhet të shoh pasdite është harta se kush bën çfarë. Duhen kontrolle të unifikuara perfekt, bashkia, prefektura, policia. Tamam si në një hartë beteje, ju duhet të keni deri pasdite çdo pikë të identifikuar si pikë e dëmtuar, me emra.

E fundit që kam, është pjesa e identifikimit të dëmeve të brendshme materiale. Ata që janë dëmtuar duhet të jenë të sigurt që nuk do të harrohen. Duhet të kemi një inventar të saktë, në mënyrë që nesër, kur të ketë rënë barra e rëndë, dhe kur ne të kemi kapërcyer momentin e parë të identifikimit të dëmeve strukturore, të kalojmë në fazën e hartës së dëmeve. Është shumë e nevojshme që ushtria të marrë informacion të saktë sa çadra duhen. Atje ku dje ka pas momente paqartësie, sot nuk duhet të ketë më paqartësi. Stadiumi i Durrësit sot duhet të jetë në dispozicion dhe njerëzve iu duhet vënë në dispozicion psikologë.”,- tha Rama./K.C/dritare.net

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.