Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama prezanton “Pasqyrë Albania: Do ta kthejë qytetarin në mbikëqyrës të shtetit

Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar funksionin që pritet të ketë platforma “PasqyrAlbania”, e cila sipas tij synon të ndryshojë mënyrën se si qytetarët informohen dhe kontrollojnë punën e institucioneve.

Rama e cilësoi platformën si një “kontratë kushtetuese të qytetarit me shtetin”, ku çdo qytetar do të mund të gjejë të dhëna dhe dokumente mbi projektet dhe proceset që zhvillohen me paratë publike.

Sipas kryeministrit, qytetari nuk duhet të mbështetet vetëm te deklaratat e qeverisë apo informacionet e publikuara në media, por duhet të ketë mundësi të shohë drejtpërdrejt dokumentet që tregojnë se çfarë po bëhet, kush është përgjegjës dhe në çfarë faze ndodhet një proces.

Rama tha se platforma do të përmbajë dokumente, shifra, prova, procesverbale, vlerësime ekspertësh dhe arsyet e vonesave, duke synuar që përgjegjësit për çdo problem të jenë të identifikueshëm.

Ai solli si shembull edhe rastet kur në media qarkullojnë pretendime për probleme me projekte publike, duke argumentuar se qytetari duhet të ketë mundësi të verifikojë vetë faktet përmes dokumentacionit zyrtar.

“Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, me procesverbale çfarë ndodhi realisht dhe çfarë po ndodh”, u shpreh Rama.

Sipas tij, qëllimi është që qytetari të mos mbetet thjesht një marrës i informacionit, por të shndërrohet në një mbikëqyrës aktiv të punës së shtetit.

Rama theksoi se përmes “Pasqyrë Albania” përgjegjësitë për problematikat e ndryshme do të jenë më të dukshme dhe qytetarët do të kenë një bazë dokumentare për të vlerësuar punën e institucioneve.