Rama për zjarrin në Krujë: Një betejë e jashtëzakonshme, shmangëm një bilanc tragjik
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shuarjes së zjarrit masiv në Malin e Krujës, duke vlerësuar punën e forcave zjarrfikëse, ushtarake dhe policore.
Rama thekson se zjarri përfundoi me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe pa asnjë banor të dëmtuar, ndërsa e cilëson ndërhyrjen si një “betejë të jashtëzakonshme”. Sipas tij, era e fortë dhe pamundësia për të përdorur mjetet ajrore gjatë natës e vështirësuan ndjeshëm operacionin.
Kryeministri shprehu respekt dhe mirënjohje për efektivët që punuan gjatë gjithë natës, duke theksuar se ndërhyrja profesionale shmangu një bilanc që mund të kishte qenë tragjik.
Në reagimin e tij, Rama publikoi edhe mesazhin e një banori të Krujës, i cili gjatë natës kërkonte përforcime dhe vlerësonte punën e forcave në terren.
“Shteti është në këmbë i tëri”, shkruhej në mesazhin drejtuar kryeministrit.
"Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese.
Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve të këtij gushti sfidues, ku mbrëmë banorët e Krujës panë se nuk ishin vetën në orët e tyre tejet të vështira, siç dëshmon edhe ky mesazh ndër disa që më dërguan mbrëmë në orët e natës: “Zoti Kryeminister ! Ju lutem zjarri po merr permasa te medha ne Kruje! Po punojne si heronj Zoti ia shperblefte ...por era po e perhap me shume shpejtesi .ne eshte e mundur per perforcime te tjera ..shteti eshte ne kembe i teri”, shkruhet në postimin e kryeministrit Rama./L.F-dritare.net