Rama: Google po rikthen vlerësimet e bizneseve shqiptare pas sulmit me review negative
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë mbrëmje lidhur me valën e komenteve dhe vlerësimeve negative që prekën faqet e disa sipërmarrjeve shqiptare në Google, duke bërë të ditur se, pas ndërhyrjes së autoriteteve shqiptare dhe verifikimeve të kryera nga kompania, bizneset kanë nisur të rikuperojnë vlerësimet që kishin përpara sulmit. Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Rama e cilëson fushatën e review-ve negative si një “sulm të organizuar” ndaj bizneseve, ndërsa thekson se Policia po vijon hetimet për skemën që, sipas tij, u orkestrua përmes mijëra llogarive të krijuara enkas. Kreu i qeverisë përdor gjithashtu tone të ashpra ndaj autorëve të kësaj fushate, të cilët i lidh me protestën e flamingove.
“Jehona e një TURPI ALLA SHQIPTARÇE arriti deri në majën e piramidës së Google, ku autoritetet tona kërkuan ndihmë për të nxjerrë një sërë sipërmarrjesh nga BLOZA E TERRORIT DIGJITAL të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan një SULM TË PADËGJUAR KRIMINAL mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me DHUNË yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve. Pra, logjika e hurit dhe drurit që i ka dhënë protestës ngjyrën e sorrave e zërin e korbave: Nuk duam investorë të huaj, nuk duam biznese vendase, duam litar, burg, zjarr – tip naziskinësh me qeleshe e komunistash me flamur në qafë, laro e balo të duartrokitur me pasion nga dështakëzemërakë të rënë nga vakti, plot urrejtje, ligësi e mediokritet të pangushëllueshëm.
Policia vijon me hetimin e skemës kriminale, ndërkohë që me ndihmën e Google-it faqet e sipërmarrjeve po u rikthehen yjet e merituara me punë e mund të madh”, shkruan Rama./K.C/dritare.net