Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Është fat ta kesh stadiumin në mes të Tiranës

Rama: Është fat ta kesh stadiumin në mes të Tiranës
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, kryeministri Edi Rama theksoi se për ndërtimin e stadiumit të ri “Arena Kombëtare” nuk do të shpenzohet asnjë lek nga buxheti i shtetit. Duke sqaruar skemën se si po ndërtohet stadiumi i ri në mes të Tiranës, kryeministri tha se në të njëjtën mënyrë duhet të veprohet edhe për stadiumet e tjera, për të shmangur problemet me menaxhimin dhe administrimin e tyre.

“Nuk nxjerrim asnjë kokërr leku nga buxheti i shtetit. Federata kalon në investim kontributin e UEFA-s, që sipas të gjitha gjasave do të jetë 1/6 e investimit final, dhe përkundër këtij kontributi federata është bashkëpronar i këtij stadiumi. Ndërkohë që investitori privat sigurisht që do të ketë edhe pjesën e vet në këtë investim, pjesën e vet të përfitimit nga ky investim.

Me të njëjtën skemë duhet të bëjmë edhe stadiumet e tjera. Jemi në një shqetësim të madh edhe për stadiumin e Shkodrës, sepse është bërë i gjithi me fonde të buxhetit të shtetit, me një kontribut të federatës, por lind problemi i administrimit. Që të mos bëhet si ‘Qemal Stafa’ i sotëm një Pazar oriental. Vetëm mirëmbajtja e stadiumit ‘Loro Borici’ kërkon 150 milionë lekë të vjetra në vit. Si do dalin këto 150 mijë euro nga buxheti i bashkisë?. Këtu do kemi një stadium të ndërtuar por dhe të menaxhuar?”- deklaroi kryeministri.

Kryeministri iu përgjigj atyre që sugjeronin ndërtimin e stadiumit në periferi të qytetit duke thënë: “Arkitektët thonë se është fat ta ndërtosh stadiumin në mes të qytetit. Stadiumi në mes të qytetit është komoditet.”

“Përfitoj nga rasti të ritheksoj vlerën e jashtëzakonshme që ka ky projekt për qytetin dhe jo vetëm për futbollin. Qyteti do të fitojë një zonë të re tërësisht të ripërtërirë urbane, me katër hapësira publike. Stadiumi nga një qendër biznesi mesjetare, do kthehet në një qendër publike dhe private e një jetë që do vazhdojë 7 ditë e 7 netë.

Atyre që u hodhën përpjetë dhe thoshin po e kthejnë stadiumin në qendër biznesi mund tu thuhet fare lehtë se kjo është një qendër biznesi, por një qendër ordinere biznesi, tamam si një pazar mesjetar, duke dërrmuar organikisht të gjithë monumentin. Ndërkohë që do kemi sigurisht një hapësirë publike dhe private për aktivitete publike dhe private.”- u shpreh kryeministri Rama.