
Pse tek dritare.net, mungojnë urimet e politikanëve për pashkët
Dritare.net

Thonë që kjo është fillesa e ndarjes së fesë nga shteti, çka është edhe themeli i qytetërimit të sotëm perëndimor. Por ky nuk është rasti për një diskutim kompleks.
Në Shqipëri, përjashto raste sporadike, për vetë faktin e qenies një popull me tre besime dhe disa shizma, feja ka qenë e tërhequr. Fatmirësisht, kjo është një mundësi për të bërë shtet. Thuhet se irlandezët kanë kishën, anglezët kanë mbretin, italianët kanë familjen, ndërsa amerikanët kanë shtetin si idhuj të tyre rreth të cilit grumbullohet fuqia e kombit. Edhe ne, sado latente që është kjo ide dhe utopike si mundësi realizimi, kemi mundësi të grumbullohemi rreth shtetit. Por këtu fillon problemi ynë.
Kur bëhet fjalë për ekonominë, ata që quhen politikanë dhe i kemi zgjedhur të mirëadministrojnë pasurinë tonë që quhet publike, ata e zhvasin. Ndërsa kur bëhet fjalë për fenë, nuk do lenë rast pa futur hundët dhe ligjëruar më shumë se priftërinjtë, hoxhallarët e popët, për dashurinë, mirësinë, paqen, mirëkuptimin, besimin, bamirësinë, e të tjera aspekte humanitare. Dhe kush predikon? Ata që shquhen për pabesinë e tyre pasi sa na marrin votën, e ndrojnë pllakën; ata që hajdutllëkun e kanë profesion të parë dhe kanë shkatërruar sistemin gjyqësor pikërisht mos shkojnë pas hekurave; ata që ose kanë vrarë, ose i kanë përdorur jetët e atyre që ju shkojnë pas me shpërfilljen e vrasësve; ata që e vetmja fushë që mirëkuptohen është ndarja e plaçkës me njeri-tjetrin.
Mos shtojmë këtu pastaj injorancën e dhe mediokritetin e tyre artistik, që të kall krupën kur i dëgjon, sidomos kur i konfronton me dy libra mjeshtërorë sa i takon nivelit artistik si Bibla dhe Kurani.
Prandaj drtitare.net vendosi mos t’i prishë magjinë një feste fetare me dërdëllitje njerëzish që në gjithçka, janë ordinerë. Dhe nëse nuk del ndonjë politikan që të flasë aq bukur sa profetët, për hir të higjenës mendore të lexuesve të saj dhe vetvetes, nuk ka për ti botuar kurrë./dritare.net

















