
Pse nuk do vishem me të zeza për Mit’hat Frashërin
Dritare.net

Vishuni me të zeza !
Kjo është porosia e kryeministrit aktual të Shqipërisë për datën 14 Nëntor 2018. Ceremonia pompoze që ai personalisht ka organizuar deri në detaj me rastin e ardhjes së eshtrave të Mit’hat Frashërit, Kryetarit të Ballit Kombëtar, është një taktikë djallëzore, shumë planëshe që nuk ka të bëjë direkt me respektimin e një “personaliteti të letrave shqipe dhe kulturës mbarëkombëtare” sic ai e ka quajtur në ftesën e tij, as me ndonjë Mukje të dytë, pasi ai nuk ka tagrin ta bëj, por ka të bëjë me ambicjen makiaveliste të këtij kryeministri që mbas depersonalizimit, poshtërimit dhe blerjes e kapjes të së majtës shqiptare, të defaktorizoj dhe kap dhe të djathën duke i marrë asaj cdo kalë beteje, dhe atë që ajo nuk kish guxuar ta rehabilitonte, falë një fije vetëdije kombëtare që mund të ketë. Duke funksionuar kështu tërësisht në funksion të pushtetit personal si një diktator i vërtetë por i veshur me kostumin e një liberali të shpenguar. Po ta shikosh me naivitet mendon që kryeministri aktual vuan nga deliri i madhështisë dhe kompleksi i Mesias, duke u sjellë në emër të popullit, me arsyetimin se vetëm ai e di cfarë është e mirë për këtë popull, por jo, kjo nuk është një shfaqje magalomanie, është shumë më keq se kaq.
Që Mit’hat Frashërit i takon të prehet në tokën shqiptare, kjo nuk vihet në dyshim, duke ju bërë organizimi dhe respektimet nga Fondacioni që mban emrin e tij, ndoshta dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Institucioneve që merren me fushat që ai mbuloi me nder për aq kohë sa u mor me to, albanologjinë, gjuhë-letërsinë, bibliotekat etj edhe kjo është normale, por pjesëmarrja direkte nën rrogoz dhe mbi rrogoz e kryeministrit shqiptar duke e shndërruar këtë ngjarje në një ngjarje kombëtare kjo është e rëndë sidomos për simbolikën që mbart, sidomos për shqiptarët e rinj. Për mos folur pastaj për ceremoninë zyrtare, homazhet pranë Akademisë së Shkencave, drekën e përshpirtjes në pallatin e brigadave, bustin përkrah rilindasve që vdiqën me nder etj etj, përfshirjen e Trupit Diplomatik në këtë maskaradë etj etj.
Gjykimi im nuk ka të bëjë me përkatësinë e majtë ose jo të kryeministrit aktual, ky mekanizëm që ai ndoqi për “rehabilitimin” e një kolaboracionisti të luftës së dytë botërore, është një mekanizëm pa atdhe, pa përkatësi politike, ky është një mekanizëm pa fe e zot, është një mekanizëm që nuk përfill vijën ndarëse ku ndahet e mira nga e liga, tradhtia nga atdhedashuria, e kuqja nga e zeza, ky mekanizëm është një perversitet që vetëm një adhurues i fshehtë i Rajhut të Tretë mund ta ndërmarrë, si askush tjetër ka marrë kurajo ta bëj personalisht si kryeministër në Evropë.
Eshtë fakt i pakontestueshëm i dokumentuar jo vetëm nga Arkiva e Shtetit Shqiptar por edhe nga institucionet dhe agjenturat e huaja, bashkëpunimi aktiv i Ballit Kombëtar me forcat hitleriane të luftës së dytë botërore. Bashkëpunim që pavarësisht se u kamuflua si nga inati i sime vjehrre (ndaj komunistëve) po shkoj po fle me mullixhinë (me nazistët) ajo ishte kryekëput një tradhti e lartë në kohë shumë të zymta për kombin tonë, kohë që ne do na ndanin ose do të na bashkonin me botën përparimtare, kohë ku si rrallë herë, Amerikë-Rusi-Angli ishin bashkë, pikërisht nisur nga tragjizmi që priste njerëzimin nga psikopatia hitleriane, ndërkohë që Balli Kombëtar, ndryshe nga aleancat ndërkombëtare të mësipërme nuk arriti jo vetëm të mos bënte një aleancë provinciale me komunistët shqiptarë (përfshi këtu ambicjet e të dy palëve) por minimalisht të kish luftuar kundër gjermanëve për hesap të vet, pavarësisht se bashkëpunonte ose jo më komunistët. Dhe kontributi i tij kombëtar në ato momente vendimtare ndoshta do kish bërë që gjërat të kishin funksionuar ndryshe mbas fitores mbi nazizmin. Këtu më vinë ndër mënd fjalët dhe analiza e Historianit Kristo Frashëri të bëra më 26 Tetor 2012, i cili ishte dhe dëshmitar në vetë të parë i historisë së atyre kohëve, të cilat po i zbardh saktësisht këtu, “...lufta fitohet me pushkë, jo me propagandë. Fitohet me pushkë në fushën e betejës dhe jo në kafene. Kjo ishte filozofia e re, që e përqafuan njerëzit më të mençur të Evropës. Mid'hati qëndroi pas, nuk arriti ta kuptonte këtë. Sepse ishte pjellë e shkollës së vjetër diplomatike, sipas së cilës lufta fitohet me diplomaci. Por ajo kohë kishte kaluar. Ia thanë disa herë edhe misionarët anglezë, edhe miqtë e tij shqiptarë: Nuk është kjo rruga që të çon në fitore. Por ai tha: nuk kemi nge të bëjmë luftë se shkatërrohemi… Dhe ai hoqi dorë nga lufta, duke thënë jo sot jo nesër, jo ka ardhur koha, jo s'ka ardhur koha... Por nuk ishte e drejtë. Koha kishte trokitur që më 7 Prill. Mit'hat Frashëri ishte viktimë e urrejtjes patologjike që kishte ndaj komunizmit... por nuk dinte ta luftonte komunizmin. Komunizmi nuk luftohej duke bashkëpunuar me gjermanët, por duke luftuar kudër gjermanëve. Në Francë demokratët francez nuk iu kundërvunë komunistëve francezë, por bënë garë kush e kush të luftonte më shumë. Po ashtu në Greqi, të djathtët e të majtët nuk luftuan kundër njëri tjetrit, gjatë kohës së pushtimit sigurisht. Kështu që nga kjo pikëpamje Mit'hat Frashëri nuk ka asnjë meritë, përkundrazi ka përgjegjësinë që e çoi Shqipërinë në diktaturën komuniste. Po të kishte luftuar ai ndoshta edhe do të kisha shkuar në krahun e tij, sepse ishte krahu demokratik. Por ai nuk luftoi dhe ne që donim lirinë e vendit, atë flamur që na doli përpara atë kapëm. Mit'hat Frashëri ka një përgjegjësi shumë të rëndë, saqë s'mund ti japësh atij sot asnjë dekoratë. ”
Duke analizuar sa më sipër si dhe por edhe nga dijet elementare që ka çdo atdhetar se si funksionon interesi i kombit dhe përgjegjësitë në momentë vendimarrëse për të, pavarësisht broçkullave të Edi Ramës së viteve 90 se kur bota ish në luftë botërore ne ishim në luftë civile, pavarësisht çdo makiavelizmi, justifikimi dhe rehabilitimi që mund ti bëhet figurës së Mit’hat Frashërit si figurë kombëtare, personalisht mendoj që Mit’hat Frashëri me tradhtinë e tij ndaj interesave të kombit, nuk dëmtoi komunistët që ishin armiqtë e tij të vegjël, përkundrazi ata deri në një farë mase me atë që bëri i ndihmoi për ta denigruar dhe për të ardhur në pushtet, por ai dëmtoi mbarë kauzën kombëtare, përfshi këtu dhe atë që vetë ai kish kontribuar deri në vitet 41 për ta ngritur. Ai nuk justifikoi të qënit i biri i të jatit, as trashëgimtari dinjitoz i Frashërlinjëve të mëdhenj. Ai nuk tradhëtoi vetëm brezin e shqiptarve që ishin prezent gjatë luftës së dytë botërore, por sidomos ata që ishin përpara por dhe ata që erdhën pas. Gjithëcka ai kish bërë përpara u kompromentua dhe shumzua me zero më atë që bëri më pas. Pasi Lufta e Dytë Botërore dhe shkaktari i saj nazifashizmi, ishte një luftë shfarosëse jo vetëm për identitetet dhe dinjitetet kombëtare por dhe për mbarë njerëzimin. Kjo historia jo po më parë ishte atdhetar i mirë, ishte djalë dhe nip i Frashërlinjve, ish prozator, botues, albanolog etj, kompromentohet nga veprimet e tij faktike në kohë tragjike për Shqipërinë. Patjetër që ai ka vlera historike-kulturoro-letrare, dhe mund të studiohet për të tilla, përfshi dhe luhatjet e tij deri në goditjen e fundit, sidomos në një vënd anemik vlerash si i yni, por jo të ofrohet si shëmbull dhe model kombëtar që promovohet. Kryeministri shqiptar ka lënë të gjithë dishepujt e vërtetë të Rilindjes pa respektuar dhe kontribuar në lartësimin e figurave të tyre, këtë vit ishte 140 vjetori i Lidhjes së Prizrenit të cilën ai e “harroi” po të shkosh në Frashër, shtëpia muze e Frashërlinjve të mëdhenj (pikërisht këtyre) është totalisht e degraduar për mos folur për të gjithë idhujt me krena të këtij kombi që jetën e mbyllën me nder dhe qëndrestari kombëtare deri në frymën e fundit. Pavarësisht se shpjegimet e arsyeve të kryeministrit aktual i dhashë në fillim të këtij shkrimi, unë këto rrjeshta ja detyroj vetes time, mënyrës se si e ndjej unë atdhedashurinë, se kush mendoj unë se janë strukturat dhe morali në një marrëdhënie të përjetshme me kombin dhe interesat e tij, unë tashmë jam pak më e qetë, detyrën time si qytetare e bëra. Unë nuk mund të heshtja, në këto kohë ku cdo gjë dhe vlerë është kapur dhe kthyer me kokë poshtë. Unë tradhtisë kombëtare i them tradhti kombëtare, pavarësisht se përpiqen për arsye kryekëput djallëzore ta veshin ndryshe, dhe e mendoj njësoj si një ndër Historianët e parë të njerëzimit, romakut Tito Livio, “ asnjë besnikëri nuk i detyrohemi tradhtarëve”, unë në 14 nëntor 2018, vërtet do vishem me të zeza./dritare.net

















