
Enver Hoxha nuk i pranoi kurrë kufijtë! Dëshmia e rrallë e ambasadorit!
Dritare.net
Në një intervistë me gazetarin Dritan Hilën në emisionin Shqip, DritareTV, Ambasadori Roland Bimo ka hedhur dritë mbi qëndrimin historik të Shqipërisë ndaj çështjes së kufijve në Ballkan dhe veçanërisht ndaj Kosovës, duke theksuar se shteti shqiptar nuk pranoi të firmoste marrëveshjen e Helsinkit për shkak të pozicionit të vet kundër sanksionimit të ndarjes ekzistuese territoriale.
“Shqipërisë nuk i konvenonte mosndryshimi i kufijve, sepse bëhej fjalë për dy milionë shqiptarë në Kosovë. Ne nuk donim që të sanksionohej vijëndarja e kufirit siç u bë në atë kohë”, u shpreh ambasadori. Ai sqaroi se pavarësisht se Shqipëria ishte ftuar në procesin e Helsinkit, qëndrimi i saj ishte i vetëdijshëm dhe i drejtë në funksion të mosnjohjes së padrejtësive historike.
Sipas tij, nga pikëpamja ligjore, Kosova nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Serbisë. “Nuk ka asnjë traktat paqeje mes Serbisë dhe Perandorisë Osmane ku Kosova t’i jetë ceduar ligjërisht Serbisë. Ajo u pushtua me luftë në vitin 1912 dhe Turqia nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje për ta dorëzuar atë territor”, theksoi Bimo, duke shtuar se Kosova ishte një territor i okupuar që më pas u inkorporua në Jugosllavi përmes presionit të Serbisë.
Ai iu referua edhe burimeve akademike nga studiues nga Kosova që mbështesin të njëjtën tezë për jolegjitimitetin e sovranitetit serb mbi Kosovën. Duke analizuar vendimin e Shqipërisë për të mos firmosur në Helsinki, Bimo tha se kjo ishte një mënyrë për të mos e pranuar ndarjen territoriale të trashëguar nga luftërat dhe për të ruajtur hapësirën për një rishikim të drejtë të kufijve në të ardhmen./K.C/dritare.net

















