Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kina kundër SHBA-së: Kriza e re tregtare pas deklaratave të Trump

Kina kundër SHBA-së: Kriza e re tregtare pas deklaratave të Trump

Janë rritur tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Presidenti amerikan Donald Trump akuzoi Kinën për shkelje të marrëveshjes së arritur në fillim të muajit për uljen e përkohshme të tarifave reciproke. Ai deklaroi se Kina e kishte “shkelur plotësisht marrëveshjen me ne”, pa dhënë detaje specifike. Megjithatë, Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, sqaroi se Kina nuk kishte hequr barrierat jotarifore siç ishte rënë dakord në marrëveshje.

Kina reagoi duke kërkuar nga SHBA-ja që të ndalojë “kufizimet diskriminuese kundër Kinës” dhe të respektojë konsensusin e arritur në bisedimet e nivelit të lartë në Gjenevë. Zëdhënësi i ambasadës kineze në Uashington theksoi se Kina kishte ndërmarrë hapa për të përmbushur marrëveshjen, por nuk iu përgjigj drejtpërdrejt akuzave të SHBA-së.Ambasadori Greer shtoi se Kina kishte hequr tarifat, por kishte vonuar në zbatimin e masave të tjera, si heqja e kompanive amerikane nga listat e zeza dhe lehtësimi i kufizimeve për eksportet e magneteve të tokave të rralla, të cilat janë komponentë kritikë në industrinë e automobilave, avionëve dhe gjysmëpërçuesve. Ai theksoi se SHBA-ja ishte “shumë e shqetësuar” për përparimin e Kinës në zbatimin e marrëveshjes.

Këto deklarata të ndërsjella kanë ngritur shqetësime për një përshkallëzim të mundshëm të tensioneve tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë, pavarësisht negociatave të fundit./K.C/dritare.net