
Vrasja e Dorjan Shkozës/ Simboli me grusht që iu dërgua me mesazh Alibejt!
Dritare.net
Vrasja e Dorjan Shkozës në shkurtin e vitit 2020, është krimi i parë që Erjon Alibej alias Agim Shurbi (Krymi) financoi skuadrën e vrasësve me pagesë të koordinuar nga Nuredin Dumani.
Kontrata e vdekjes për vrasjen e Dorjan Shkozës, është lidhur mes Alibej dhe Dumanit, në shtëpinë e Erjon Alibej, aty ku dy personat Arjan Spahiu dhe Erjon Alibej, kishin ftuar për ta marrë në pyetje Nuredin Dumanin, si i dyshuari kryesor i tyre në masakrën e “Bradasheshit”, ku mbeti i vrarë Enea Alibej me nofkën “Tarzani”, daja i tij Arben Dylgjeri dhe turku, Erdal Durunay.
Që prej ditës së djeshme Erjon Alibej, ka nisur rrëfimin e dëshmisë së tij në Gjykatën e Posaçme, ku në cilësinë e bashkëpunëtorit të prokurorisë SPAK, ka treguar aktivitetin e tij në trafikun e kokainës, konfliktin e lindur dhe plagosjen e Xhon Rustës në Elbasan, vrasjen e vëllait Enea Alibej në Bradashesh dhe bisedat që ka zhvilluar me Suel Çelën, për dyshimet që ai kishte mbi të si pjesëmarrës i mundshëm në masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë 3 persona.
Por kjo ngjarje, tashmë është zbardhur falë aplikacionit “Sky”, ku SPAK dhe vetë Erjon Alibej, e ka të qartë se autorët që kanë kryer ndaj njerëzve të tij në masakrën e Bradasheshit, janë Talo Çela, Dashnor Dumani me nofkën “Cjapi”, Altin Ndoci me nofkën “Kok Çami”, vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, Kel Kamami, Besmir Haxhia, Eljo Bitri dhe Emiljano Ramazani me nofkën “Ili”.
Erjon Alibej kërkonte me çdo kusht për të kapur gjallë ose ekzekutuar, Talo Çelën, ku kërkimet e tij ishin shtrirë deri në Peqin, por pa rezultat.
“...para se të njihesha me Nuredin Dumanin, ishte koha kur po interesohesha për të ditur më shumë rreth personave që kishin të bënin me ngjarjen e Endritit, Bujar Shega, më ka dërguar një shok të përbashkët, të cilit nuk ja mbaj emrin, dhe më ka informuar se Talo Çelën e mbanin dy vëllezër apo dy kushërinj me mbiemrin “Juba” në fshatin Karinë...”, ka rrëfyer Erjon Alibej.
Në pamundësi për të kapur Talon, vrasjen e parë që Erjon Alibej, ka kryer në shenjë hakmarrje me qëllim spastrimin e çdo personi, që kishte marrë pjesë në tragjedinë e familjes së tij, ishte ajo e Dorjan Shkozës.
Pas takimit dhe negociatave, Alibej së bashku me Arjan Spahinë fusin në grupin e tyre Nuredin Dumanin, të cilin nga të dyshuar e kthejnë në anën e tyre, duke e paguar për të vrarë miqtë e tij, me të cilët kishte kryer krime si pjesë e grupit të Talo Çelës.
“...takimin e parë me Nuredinin unë e kam inçizuar, por nuk i kam më këto incizime...”-thotë Alibej.
Lista me emrat e Talo Çelës, Altin Ndoci, Besmir Haxhia, Dorjan Shkoza, Kel Kamami ose “Keli i Kiçit” dhe vëllezërit, Hajdar Çopja, Franc Bako alias Çopja dhe Ervin Bako alias Çopja, duhet të eleminoheshin. E se këtë gjë, duhet dhe mund ta bënte vetëm Nuredin Dumanit.
Në dëshminë e tij, Erjon Alibej thotë se:
”…në bisedë me Arianin, para se të takoja Nuredinin për herë të parë, pyes Arianin çfarë interesi ka Nuredin Dumani që vjen tek ne, për vetëm se për lekë, për para, dhe asgjë më tepër, dhe nga ana e lekëve ti e di mirë se sa keq jam ekonomikisht për momentin…”.
Ndërsa sipas Alibej, Ariani i ka pohuar:
"…O Lal, ri i qetë për këtë, do ti tresim të gjithë, vetëm ti ndalojmë njëherë si fillim këta, ta kapim njëherë atë Talon, sepse ti po e sheh shumë mirë se çfarë po bëjnë këta. Tani do të ikë të marr ato lekë që kam dhe do ti sjell…".
Më tej Alibej tregon se Arianit ia shpjegoj pak a shumë bisedat që bëra me Nuredinin dhe për më tepër i thashë:
”...Nuredini do 100.000 Euro për të nisur punën, por mesa e pashë nuk ka telefon, se si të merret vesh me ne.... Ariani më thotë: ”...shko, merr lekët për t’ia dhënë Nuredinit dhe telefonin e kriptuar që të lidhim kontakt me Nuredinin drejtpërdrejt.....
Si fillim Alibej, tregon se i ve në dispozicion të Dumanit një kapar prej 50 mijë euro si dhe një aparat telefonik të kriptuar “Sky”, me qëllim të mbajnë kontakte aty për çdo gjë.
Kthehem tek Nuredini dhe i them: “...më fal, po shkoj lart, do marr 50.000 euro që të marrësh me vete dhe një telefon që të kemi kontakt...” - tregon Erjon Alibej.
Më tej ai vazhdon duke pohuar si më poshtë: “...shkoj lart në apartament ku familja ime banon, dhe marr 50.000 Euro dhe një telefon të kriptuar, më kujtohet që ka qenë ose Iphone 6 ose Iphone 7, ngjyrë gri, dhe zbres poshtë dhe ia jap Nuredinit. Mbaj mend që kur Nuredini ka ardhur tek unë, për të më takuar mua për herë të parë, ka shkuar Arjani dhe e ka marrë në Katund të Ri, ku Nuredini ka qenë dhe me Elio Bitrin. Në dijeninë time, po atë natë, Nuredinin e ka dërguar në shtëpi Elio Bitri, dhe pasi ka mbërritur në shtëpi Nuredini më shkroi nëpërmjet telefonit të kriptuar që unë i dhashë, që ai kishte mbërritur në shtëpi pa problem...”.
“...dua të sqaroj se nga dita e takimit deri ditën e vrasjes së Dorian Shkozës, komunikoja herë pas herë me Nuredinin nëpërmjet telefonit të kriptuar, ku e pyesja vazhdimisht duke i thënë: “...a ke marrë vesh gjë për Talon...?, a ke dëgjuar gjë për Talon...?, vetëm për Talon interesohesha. Në këtë periudhë Nuredini kishte kontakt dhe me Arianin....”-thotë Alibej.
Më tej ai vijon se: “...pak përpara se të publikohej në televizor ngjarja që kishte ndodhur në Durrës, vrasja e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdia. Nuk jam shumë i qartë se nga kush mora mesazh, Nuredini apo Arjani, por mbaj mend që në telefon më erdhi një shenjë (figurë) “...krahu në formë L me grusht të mbledhur...”, që tregonte muskuj. Unë pyes: “...çfarë ka...?'. Marr përgjigjen: “...iku i pari o vlla...., ia kthej unë: çfarë...?.
Më thotë shiko në televizor, do të shpjegoj më vonë, por nuk komunikuam më. Më pas po shikoja në televizor se çfar kishte ndodhur. Aty, nga televizori, shoh që ishin ekzekutuar dy persona dhe më pas ishte djegur një makinë në Bishtin e Zhurit.
“...takimin e parë me Nuredinin unë e kam inçizuar, por nuk i kam më këto incizime...”-thotë Alibej.
Duke qënë se një nga personat që ishte vrarë atë natë unë nuk e kisha dëgjuar, nga biseda që bëra me Nuredinin, për të qënë i sigurtë ridëgjoj înçizimet e bisedës, e kam dëgjuar disa here, dhe emri Anxhelo Avdia, nuk ishte përmend në asnjë moment gjatë bisedës. Nuk mbaj mend mirë ditën, por pas ngjarjes në Durrës, kam biseduar me Nuredinin me telefon të kriptuar, ose atë natë të ngjarjes, ose të nesërmen në mëngjes, dhe e pyeta në lidhje me atë që ndodhi dhe Nuredini më thotë:'...shkoi çdo gjë shumë mirë, e pyes unë po ai tjetri, Anxhelo Avdia, kush ishte, ç’ne...?.
Nuredini më përgjigjet: "...po njësoj, njeri i atyre është ai, nuk është kot dhe ai...".
I them Nuredinit: “...po makina si ka mundësi që u dogj tek Bishti i Zhurit?
Nuredini më thotë: "...po, se nuk ka ku shpëton ai qen (Elio Bitri), e futa dhe atë këtu, si pjesë e atentatit", këtë e thoshte për Elio Bitrin.
Nga bisedimet me Nuredinin, si nëpërmjet telefonit të kriptuar por edhe nga afër me Nuredinin, ai më ka shpjeguar dinamikat për secilat nga ngjarjet, dhe më konkretisht për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, më ka thënë që në atentat kanë marrë pjesë Elio Bitri, Kusho (Henrik Hoxhaj), dhe Klevis Alla. Nuk mbaj mend, nuk më kujtohet, nëse Nuredini më ka thënë nëse ai vetë ka qenë pjesë e ketij atentati. Mbaj mend që e pyeta në lidhje me makinën e djegur tek bishti i Zhurit, dhe Nuredini për këtë më thotë:
"...Elio Bitrin, në vendin ku ka djegur makinën, tek i njëjti vend kanë qenë duke e pritur njerëzit e Elio Bitrit që jetojnë në një fshat në dalje të Peqinit, në fshatin Karinë". Nuk mbaj mend mirë por Nuredini më ka thënë:”...këta njerëzit e Elio Bitrit, e kanë mbiemrin Juba dhe janë në Karinë...”.
Pas kryerjes së vrasjes së dyfishtë të Dorjan Shkozës dhe Angjelo Avdisë, Erjon Alibej, i ka çuar përmes Arsen Preçin shumën tjetër të parave prej 50 mijë eurove, Nuredin Dumanit./Ora news

















