Një ndër argumentet që i mëshojnë që nga presidenti dhe deri tek analistët që mbështesin opozitën është se 85% e shqiptarëve refuzuan zgjedhjet dhe vetëm 15% votuan Ramën.
Në fakt këtu ka një spekulim. Nëse do të llogarisim trupën zgjedhore në Shqipëri si 100%, nga këta gjysma janë jashtë të ikur në 29 vjet emigracion dhe ekzistojnë vetëm formalisht në listat zgjedhore.
Duke qenë se ligji shqiptar nuk njeh ndonjë shtrëngesë për votim, siç janë ai grek ose italian, dhe as krijimin e listave paralele të gjendjes civile dhe atyre të votuesve, por lista e votuesve ngrihet copy paste mbi atë të gjendjes civile, asnjëri prej emigrantëve nuk niset të votojë në atdhe, apo të ç'regjistrohet nga listat votuese.
Kështu që trupa reale votuese në Shqipëri është diku nga 48%-55%.
Nga këta, 4-6% janë jovotues kronikë.
Përballë këtyre shifrave, i bie që nëse PS-ja dhe koalicioni i saj ka marrë 22%, ajo ka ruajtur kuotat që ka pasur disa vite më parë, në vitin 2017, plus minus disa mijëra. Pra 22% e pasqyruar mbi gjysmën e elektoratit që realisht është në Shqipëri, e çon diku te 40%-45% votuesin e PS-së, e cila është edhe shifra që jemi mësuar të dëgjojmë historikisht në zgjedhje.
Personalisht këtë radhë e besoj se jemi te kjo shifër, jo për shkak të politikave të suksesshme të Ramës dhe simpative ndaj tij, por për shkak të strategjisë që ndoqi.
Duke parë në muajt e fundit nga sondazhet se popullariteti i tij kishte rënë nën nivelin e PS-së (Rama dikur është sponsorizuar nga Nano dhe Meta pikërisht sepse kishte simpati mbi atë të elektoratit të PS-së), ai u kujdes të monolitizonte elektoratin tradicional të kësaj partie. Me një rezolutë të stisur nga ISKK për luftën ku për një muaj pamë sesi drejtori i tij Agron Tufa përplasej me deputetë të PS-së apo intelektualë të majtë pa i hyrë ferrë në këmbë, ai siguroi spektaklin i cili rigrupoi rreth tij krahun tradicional të PS-së.
Pas kësaj, në ditën e zgjedhjeve, dalja e Fatos Nanos në votime i siguroi Ramës mbështetjen e të moderuarve të PS, të atyre që edhe vetë demokratët i ndajnë në socialistë të persekutuar nga rilindësit e Ramës.
Dhe faktori i tretë ishte reagimi reaktiv i një pjese të trupës së majtë, kur disa eksponentë të së djathtës deklaruan se do të identifikoheshin gjithë votuesit si të majtë dhe kjo nuk do t'ju falej. Personalisht votova vetëm për këtë fakt, megjithëse më parë kisha vendosur mos shkoja për arsye se më dukej e kotë një votim kundër Veliajt nisur nga rezervat e mija për të dhe fakti se makina e tij e propagandës ishte efiçente dhe paaftësia e opozitës të ngrinte një kandidat (punë që duhet të kishte filluar një vit më parë), kishte qenë inekzistente.
Por opozita pretendon që Rama ka marrë 15% (nëse nuk e ul akoma këtë rezultat). Çka do të thotë që PS-ja është diku te 30%-33% të elektoratit stacionar në Shqipëri. I bie që opozita e bashkuar ka një supremaci dërrmuese mbi të majtën të krahasueshme vetëm me vitin 1992. Dhe në kushtet kur Rama më shumë se kaq sa ka nxjerrë në 30 qershor, nuk është në gjendje të grumbullojë rreth vetes, opozita nuk ka asnjë arsye që t'i trembet zgjedhjeve edhe me Ramën kryeministër. Ose të paktën nuk duhet të ketë argumente kundër për t’u ulur në bisedime.
Por mungesa e entuziazmit në 1 korrik dhe e gatishmërisë për dialog, tregon të kundërtën: që as opozita nuk e beson atë që thotë.
Ndaj përdorimi i shifrës 85% është i kotë dhe nuk i shërben demoralizimit të kundërshtarit. Ndërsa për mobilizimin e të vetëve, sidomos pas fiaskos së 30 qershorit, i duhet shumë më tepër. Sepse nëse vazhdon e këmbëngul te 85-sa, do të na bëjë të mendojmë (nisur edhe nga e shkuara), që opozita përveçse problemeve politike ka një problem të madh me shkollimin fillor dhe matematikën dhe tabelën e shumëzim-pjesëtimit./dritare.net