Policia kërkon të marrë në pyetje Adrian Hilën për videot intime të shpërndara në rrjet
Dritare.net

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka kërkuar paraqitjen për t’u marrë në pyetje të kompozitorit Adrian Hila, në kuadër të hetimeve lidhur me videot me përmbajtje intime që qarkulluan në rrjetet sociale një ditë më parë.
Efektivët e Policisë janë paraqitur edhe në banesën e kompozitorit për ta kontaktuar, por nuk e kanë gjetur aty. Policia ka mundur të komunikojë me Hilën në telefon.
Gjatë bisedës, kompozitori është shprehur se është i tronditur nga publikimi i videove dhe ka deklaruar se llogaritë apo pajisjet e tij mund të jenë hakeruar. Ai gjithashtu ka shtuar se është edhe vetë viktimë, duke pretenduar se videot janë publikuar pa dijeninë e tij.
Hila ka bërë me dije se do të paraqitet në polici sapo të mbërrijë në Tiranë, për të dhënë deklarimet e tij lidhur me ngjarjen.
Mësohet se katër nga personazhet publike të identifikuara në videot e publikuara, gjithashtu janë kontaktuar nga policia. Dy prej tyre kanë shprehur gadishmërinë që të bashkëpunojnë me policinë për zbardhjen e rastit, ndërsa dy të tjera janë të tronditura dhe nuk mund të dëshmojnë.
Hetimet për videot intime
Marrja në pyetje e kompozitorit vjen pas shpërndarjes së videove intime në rrjetet sociale. Një ditë më parë, strukturat e Krimit Kibernetik nisën verifikimet për të përcaktuar rrethanat e publikimit, si dhe burimin e materialeve që qarkulluan online.
Deri në këtë fazë, Policia po vijon verifikimet për të dokumentuar mënyrën se si materialet janë siguruar dhe shpërndarë në rrjet./L.F-dritare/net