
Platformat online ku ju sugjeroj të mësoni këto ditë!
Dritare.net

Nga Fjorda Llukmani Megjithëse jeta jashtë shtëpive duket sikur ka ndaluar pothuajse, kjo nuk do të thotë që brenda duhet të rrimë pa bërë gjë. Zgjidhja më e mirë për studentët gjatë kësaj periudhe është mësimi online. Të paktën në Austri e kemi përdorur disa herë dhe në universitetin tim semestrin e parë zhvilluam lëndën e menaxhimit të komunikimeve dhe kulturave virtuale. Ky subjekt i referohej mbledhjeve që bëjnë kompanitë apo menaxherët e projekteve që nuk ndodhen në të njëjtin shtet. Pra si të mësohemi duke folur nëpërmjet internetit kur kolegët i kemi larg. Mendoj se për studentët e universiteteve në Shqipëri do të ishte zgjedhja ideale, madje jam e gatshme të ndihmoj me eksperiencën time për krijimin e strukturës apo pyetjeve që lindin. (Megjithëse mendoj që e kanë përdorur dhe të tjerë sepse unë s’do bëj shpikje por nëse ka nevojë ndokush) Cisco Webex Meetings është platforma që përdorim, e cila pranon 100 persona në të njëjtën dhomë. Skype ka kohë që ka dalë nga moda dhe me video nuk futen dot në të njëjtën kohë më shumë se 50 profile. Në Webex hap llogarinë pa para, ndan prezantimin e power point me të tjerët dhe flet tamam si në klasë. Nëse je pedagogu që do të japësh mësim, u dërgon detajet e kredencialet mbledhjes ku të gjithë mund të bëhen pjesë. Merr mungesat në fillim e vazhdon shpjegimi normalisht. Biles është një opsion ku mund të ngresh dorën për të folur, nëse bëhet lëmsh e nuk flisni dot me radhë. Për kollaj Webex funksionon dhe si aplikacion prandaj nuk është e thënë të keni kompjuter apo laptop në shtëpi. Ndryshe nga gjimnazi dhe 9-vjecarja asnjë nuk mund të justifikohet që s’mund ta ndjekë dot mësimin sepse s’ka student mos të ketë smartphone sot. Por, jam e sigurt që në raste të veçanta do të bëhen përjashtime. Tjetër platformë është dhe “Zoom” por preferoj më tepër “Webex”. Mbase disa studentë do të më urrejnë në këto momente që po jap mend për të bërë mësim, por më besoni që është më mirë tani se sa të rrini me orare të zgjatura më vonë ose gjatë verës. Plus komoditetin që të ofron shtëpia nuk ta jep klasa. Po ashtu dhe për pedagogët që s’kanë pse punojnë më tepër se ç’duhet kur mund të plotësojnë oraret në kohën e duhur.
Sot kam gjithë ditën në mësim normal ashtu si në klasë, duke përfshirë dhe pushimet. Ndonjëherë kthehet në shaka si mënyrë komunikimi sepse shikon një shok të klasës duke ngrënë, ose dikë tjetër me fëmijën në dorë, tjetri me qenin. Por, s’është e thënë të mbajmë të gjithë kamerat hapur. Dikush do të shpërqendrohet ose do të dëgjosh ndonjë zhurmë të çuditshme që vjen nga kuzhina, por ka lezetin e vet. Një shoqja ime e klasës harroi mikrofonin hapur padashje ndërkohë që profesori shpjegonte dhe ajo po fliste me një person në shtëpi. U shkrimë duke qeshur të gjithë me bisedat e saj personale derisa e kuptoi. Pastaj një tjetër teshtiu e ne pushuam së foluri. Pastaj u kujtuam që jemi online e jo në klasë, e s’është e thënë që të na shpërndajë sëmundjen e rrezikshme. “Shëndet!”- i thamë ne duke qeshur me të madhe. “Kisha kohë pa e dëgjuar këtë shprehje”-tha ai me shaka.
Prandaj siç e shikoni nuk ka asnjë arsye pse ta ndalojmë shkollimin e informimin në ditët e sotme. Sidomos sot që kemi teknologjinë. Mjafton vullneti e dëshira. Kështu si kanë ardhur punët e vetmja gjë që ka rëndësi është shëndeti, se të tjerat i rregullojmë. Për ta ilustruar se si zhvillohet një mbledhje ose mësim online do t’ju ftoj të shikoni këtë video./dritare.net

















