
Pesë vajzat shqiptare më influente online
Dritare.net

Nga Xheni Hatillari Nuk e di ende nëse mes moshatarëve të mi ka nga ata që për të paktën njëherë të vetme s’e kanë menduar mundësinë e të bërit biznes/t’u bërit të famshëm/t’u bërit bloger apo youtube ONLINE. Pavarësisht të gjithë paragjykimeve rreth asaj që quhet “kultura e të jetuarit për hesap të tjetrit”, të gjithë jetojmë në të e s’mund ta mohojmë që është sot një industri e mirëfilltë. S’mund të mohojmë as që shumë nga vendet që frekuentojmë e bëjmë, sepse kështu bëjnë këta njerëz. Biles edhe idetë për fundjavën i marrim nga ta. Këto janë gjëra që të gjithë i dimë e unë përveçse dikush që njësoj si ju shpesh bën gjëra “for the gram” mbase s’di t’iu them si t’ia dilni por ia gjeta zgjidhjen. 5 vajza të talentuara e të mençura them unë e kanë nuhatur kohë më parë këtë zhvillim të kohërave që po jetojmë e sot kanë pranuar të ndajnë me ju ca sekrete të vogla,
5 këshilla për të kaluar nga “Oh, kushedi ç’jetë bëjnë këta që ndjekim në Instagram” në “Unë kam jetën që dua!”. Guxim, lexojini! 1. “Edhe nëse dështoni, dështoni me nder!” (Adda’s All – Food Blogger/Nutriocioniste)
Uarda e ka nisur blogun e saj rreth 5 vite më parë teksa jetonte në Itali por dëshironte të ndante shijet e shtëpisë dhe jo vetëm me mikesha në Instagram apo Facebook: një blog gatimi më së shumti, ndërthurur me eksperienca udhëtimesh apo copëza nga jeta e saj. Në fakt , ajo nuk
u mjaftua me postime vetëm online për recetat e saj plot shije për të botuar më vonë dy libra: “Jeto, Dashuro, Ushqehu” dhe “Të dielave” të cilët gjetën lexues të shumtë mes ndjekësve të saj në Instagram. Ada ka qenë gjithnjë si tani, edhe pse sot mund ta konsiderojmë një biznes të mirëfilltë iniciativën e saj: e thjeshtë dhe gjithnjë “e arritshme” për ndjekësit. Kur e pyeta për një këshillë, u tregua më së e gatshme dhe nga vetë mënyra sesi shkruan me ndjekësit mund ta kuptoni që të qenurit “popullore”
është një tjetër cilësi e saj. “Unë jam njeri që mendoj gjithmonë pozitiv dhe gjithmonë i japë kurajo vetes dhe atyre që më rrethojnë. Dhe ky pozitivitet më ka shtyrë të këmbëngulë dhe në situata e projekte që në pamje të parë janë dukur të pamundura.” E besoj atë që thotë. Më kujtohet ndërkohë një periudhë që teksa përgatitej për botimin e librit, përballej me vështirësitë e rastit dhe këtë e ndante me ndjekësit në Instagram që e kishin “prenotuar” librin. “Me dëshirën e mirë, durimin dhe guximin e duhur, pasionin dhe dashurinë për ëndrrat e tua, asgjë nuk është e parealizueshme. Ndoshta jo aq shpejt sa ne e presim por në fund nëse i bëjmë gjërat me këmbëngulje frytet dhe kënaqësia shpërblehen.” Kështu ka ndodhur dhe për të, sot me dy libra të botuar, shumë vizitorë të përditshëm edhe shumë blogje të tjerë që ripostojnë recetat e saj (shpesh pa leje, hey ç’bëni o njerëz?” Me thuajse 14.000 ndjekës në Instagram, Adën e pyeta për një këshillë për dikë që do të ndjek rrugëtimin e saj, një vajzë a djalë që ngurron të ndajë pasionin e tij për gatimin me botën. “E kanë thënë mijëra njerëz para meje, nëse keni diçka në kokë qe ju bën të ndjeheni mirë me veten sado e largët si ëndërr apo dëshirë, mos hiqni kurrë dorë pa e provuar deri në fund. Dhe po dështuat, deshtoni me nder pasi nuk u dorëzuat po i bëtë “hyzmetin” deri në fund.” 2. “Frymëzohu nga çdo gjë që të rrethon, ji vetvetja.” (Sarah Berisha – Fashion Blogger)
Sarah-n e njoh që të vogël dhe ende teksa e shoh sot të rritur të mbledhë rreth vetes një audiencë gjithnjë e më të madhe, më kujtohet që edhe asokohe kur ishte vetëm një fëmijë gjithnjë spikaste me kombinimet e veçanta mes fëmijëve të tjerë. Thua fati është i vendosur që në vegjëli? Ky mund të ishte pikërisht rasti sepse Sarah nisi një blog të thjeshtë para disa viteve teksa studionte drejtësi dhe ndante kohën mes pasionit e shkollës. Ama sot e ka kthyer plotësisht në një profesion pasionin e saj për modën duke u kujdesur për imazhin e saj, duke ndarë me audiencën kombinime të ndryshme por sigurisht duke u sponsorizuar nga brand-e të ndryshme në vend për të reklamuar produktet e tyre. Sarah sot është në çdo event të mundshëm të modës dhe bukurisë, por është me siguri muza e shumë vajzave të tjera që si ajo mund të duan të nisin këtë rrugëtim dhe të ndjekin hapat e saj. Ajo sigurisht ka pasur dyshimet e saj në fillime: “Ajo çka më ka bërë të jem sot kjo që jam është dashuria dhe pasioni që kam për modën. Kur nisa të merresha me blogun në fillim nuk e mendoja që shijet e mia do të arrinin të ndaheshin me një pjesë të mirë të shqiptarëve.” E pyeta Sarah-n për një këshillë që e ka bërë të jetë ajo që është sot që për ata që duan t’ia nisin sot me një ide që mbajnë prej kohësh në mendje. “Puna ime e përkushtuar më ka bërë të përmirësohem dita-ditës duke më dhënë mundësi të arrij shumë objektiva që i kam vënë vetes. Kam ende shumë rrugë përpara, shumë sfida që dua t’i fitoj por mendoj se jam në rrugën e duhur. Ajo çka më motivon çdo ditë dhe më ka bërë të eci përpara është se jam gjithmonë vetvetja në çdo gjë që bëj, pa maska. Kjo është këshilla ime për ju. Frymëzohu nga çdo gjë që të rrethon, ji vetvetja.” 3. “Nëse do t’ia nisja sot nga e para, do të më duhej SHUMË DURIM dhe përkushtim” (Anxhelina Kotorri – Bloggere/Youtube) http://angelinaslbook.blogspot.com/ Anxhelinën e kam ndjekur që kur hapa Instagramin pikërisht sepse edhe atëherë kur askush s’e dinte ç’bëhej në këtë platformë të re, profili i saj spikaste prej ngjyrave dhe ndjesisë që krijonte: ishte ndryshe! Sot ajo numëron 6-7 vite që ia ka nisur rrugëtimit të bloggere-s dhe sikur mos të mjaftonin 37500 ndjekës në rrjete sociale, së fundmi ka nisur një kanal të sajin në Youtube, i cili për ta ndarë më ju shumë subjektivisht ishin disa nga videot e pakta shqiptare që pashë me dëshirë në Youtube: ngjyra, shumë sinqeritet dhe pa filtra, rrëfimet e saj janë një inspirim më vete për ato që duan ta ndjekin rrugën e saj. E pyeta Anxhelinën për sekretin e saj : “Ditët e sotme mundësitë janë të pafundme. Për atë që ka dëshirë dhe vullnet ekzistojnë platforma nga më të ndryshmet për dikë që do të krijojë një profil të vetin dhe të japë diçka në shoqërinë tonë. Bloggers, Influencers, vloggers, lifestyle, biznes apo art pra çdo gjë sot ka hapësirën e saj,
mjafton të gjesh veten dhe të japësh nga pasioni yt”. Dhe siç duket, Anxhelina ka krijuar vendin e saj dhe këtë e tregojnë bashkëpunimet e shumta që numëron, një kanal i krijuar së fundmi por më gati 1200 subscribers. “Unë nuk kam patur nje objektiv apo synim për të arritur, ndoshta brenda meje po, por nuk e vija në dukje në hapat e mi si diçka të rëndësishme. E kam bërë çdo gjë me pasion dhe ka ardhur si rrjedhojë e kësaj. Pasion, veçanti, risi, kreativitet & gjithë kohës vetëvetja. Kjo më ka ndihmuar të kem një identitet dhe të më referohen
“si Angelina “. Përpos gjithë këtyre që shpreha më sipër duhet shumë punë dhe durim. Nëse do të mendoja ta nisja tani nga e para,
ndoshta do të më duhej SHUMË DURIM, përkushtim dhe s’do të ndryshoja asgjë tjetër.
Të kesh sukses online, nga pas fshihen lëvizje kolosale: foto në ditë me shi, çanta kartoni me vete ku brenda janë veshjet që duhet të publikoj, udhëtimet me qëllim “ fotografitë”, pra suksesi për mua është të jepesh totalisht në atë çka vendos të bësh. Nëse heq dorë, do të heqin dorë nga ty! 4. “Thjesht dhe troç, ji pionerë i një risije në vendin tënd!” (Fjorda Llukmani – Gazetare/ Bloggere)
Ju e njihni Fjordën tonë, Fjordën e Dritare.net që prej kohësh mban rekordin e artikujve më të lexuar dhe sigurisht ka zgjuar kuriozitetin e gjithë shqiptarëve për vendet më të veçanta në vendin tonë, duke na shëtitur nga veriu në jug e tanimë na ka çuar në Vjenë ku po studion. Një nga vajzat më të sinqerta për shkrimet e zhveshura nga mënyra tradicionale, një narrativë që s’të lodh, Fjorda është definitivisht një ndër të paktat rubrika që lexoj edhe unë vetë në mediat tonë. Jo për gjë, po ku do shkosh këtë fundjavë pa këshillat e saj? E pyeta Fjordën për këshillën që do t’i jepte atyre që duan të ndjekin rrugën e saj e kur mora përgjigjën, më tha që nuk e dinte që kishtë talent në të shkruar derisa kish filluar të shkruante. E pyeta pastaj çfarë do t’i thonte atyre që do donin të ndiqnin rrugën e saj dhe ja ç’më tha: “Nëse po merr diçka përsipër që as vetë s’je i sigurtë që do të ecë online, mos e vrit mendjen se nuk je vetëm. Mendoj që përveç mënyrës së shkrimit tim, shumë të thjeshtë dhe troç, ajo që i shtyu njerëzit të më lexojnë është tematika. Kur fillova të shkruaja për udhëtime, nuk e bënte askush në atë kohë dhe prandaj eci si rubrikë në Dritare.net. Që të spikasësh online mirë është të bësh diçka të veçantë ose që minimumi se ka bërë dikush para teje në Shqipëri. Dhe mos harro: imazhi është gjithmonë më i fuqishëm se teksti. Mund të kesh bërë një kërkim shkencor që tu deshën vite punë, por askush nuk e klikon ta lexojë po nuk pëlqeu figurën që ti ke prezantuar me titullin. Po ashtu përpiqu të jesh funny në rrjetet sociale. Shqiptarët nuk duan seriozitete. Pëlqejnë gafat, budalliqet, lakuriqësitë pra diçka për të cilën të kenë ç’të komentojnë. E vë re në Instagramin tim që kur hedh një foto me rroba banjo, vu folloëersat, bëhet nami. Bëj të hedh një pamje deti apo mali e s’ka pikë shanci ti afrohet shikueshmërisë me fotot provokative. Ama kjo kam zgjedhur unë të jem dhe besoj prandaj më ndjekin ato që më ndjekin. Po të isha pjeshkë si gjithë të tjerat, ç'u pa për ndryshim pastaj?” Shoh Fjordën dhe them që ja pikërisht këta janë njerëzit që kanë gjetur çelësin për në zemrën dhe klikimet e publikut! 5. “Çdo arritje e çdokujt ka filluar nga hiçi.” Esmeralda Petrela (Autore/ Harta Astrologjike) https://www.instagram.com/hartastrologjike/?hl=en Ka vetëm diçka që nuk do të ndalojë kurrë së kuriozuari njerëzit dhe ajo është e ardhmja: Esmeralda Petrela është vajza mbrapa faqes së Horoscope dhe Harta Astrologjike, e cila nga mënyra didaktë ka mësuar të zbërthejë atë që yjet thonë për gjithsecilin nga ne. Në nisjen e saj, më kujtohet që dukej sikur Esmeralda shkruante për veten, një formë ditari dhe më pas fansat nisën të rriteshin e shumë prej nesh që e kemi astrologjinë udhëheqëse të jetës sonë, më shumë lexonim Esmeraldën sesa Susan Miller. Esmeralda sot e ka kthyer edhe në biznesin e saj të vogël pasionin që e ka bërë të dashur për ndjekësit e saj: përgatitja e disa hartave të personalizuara për këdo por së fundmi edhe kanali i saj në Youtube po thith gjithnjë e më shumë ndjekës me përshkrimet interesante plot të dhëna që të gjithë duam të dëgjojmë. E pyeta Esmeraldën për këshillën që do të na jepte për këtë artikull dhe ja fjalët e saj: “Unë e shoh veten gjithmonë ashtu siç e shihja kur isha fëmijë; më entuziastja për të kuptuar çfarë po bëjnë dhe mendojnë njerëzit përreth. Megjithatë në të njëjtën kohë, tek vetja dalloj një indiferentizëm ndaj gjetjes së përgjigjeve përreth dhe një fokusim tek ajo se çfarë mendoj dhe pëlqej unë. Unë jam gjithë njerëzit, unë jam publiku që duhet kënaqur. Ajo çfarë më pëlqen mua do përcaktojë çfarë unë do i ofroj të tjerëve. Gjykimi i mirë është derivat i edukimit dhe preferancave personale, por nuk ka vend më të mirë për të nisur gjykimin tënd se sa nga vetja. Ki besim tek shijet e tua dhe mbro vizionin tënd. Çdo arritje e çdokujt ka filluar nga hiçi.” Harrova t’iu them, vajza e pasionuar pas astrologjisë ka shkruar edhe një libër që siç duket nga ndjekësit e saj shpalos një botë komplet magjepsese “Ajlen”. Më thoni kur ta lexoni!/dritare.net

















