
PD: Si e ngriti Balili rrjetin e trafikut të drogës dhe si i fshehu Tahiri gjurmët e tij
Dritare.net

“Fakte të reja tregojnë se si e kishte ngritur Balili, i quajtur nga CNN si eskobari i Ballkanit, industrinë e tij të trafikimit të drogës.
Në fillim ai kapi transportet, pasi Edi Rama e emëroi drejtor rajonal për Sarandën. Pastaj futi nën kontroll pikat kufitare, duke caktuar përmes Tahirit, si shef të kufirit për komisariatin e Sarandës, Asim Canajn, të cilin Balili e kishte për 10 vite drejtues në biznesin e tij, në policinë private.
Kështu, prej viti 2013, Klement Balili rilindi duke futur në dorë rrugët e transportit të drogës, pasi ishte vetë drejtor, dhe duke pasur gjithashtu në dorë pikat e kalimit të drogës jashtë vendit, me hyzmeqarin e tij, si shef kufiri”, thuhet në deklaratën e PD.
Alibeja ka përsëritur edhe njëherë akuzat ndaj Tahirit se ndihmoi në arratisjen e Balilit dhe se vuri në krye të komisariatit të Sarandës njeriun e Balilit, me qëllim për të fshehur gjurmët e bashkëpunimit të policisë në largimin e të kërkuarit për trafik droge.
“Po çfarë ndodhi kur aksioni ndërkombëtar i policisë greke, belge dhe DEA-s amerikane iu afrua Balilit, dhe ai ia doli të arratisej falë bashkëpunimit të suksesshëm të Tahirit. Shefi i komisariatit të Sarandës u pezullua për këtë neglizhencë të vogël, dhe në krye të policisë atje, u komandua për disa ditë, pikërisht i punësuari nga Balili, Asim Canaj. Duhej disa ditë në krye të policisë së Sarandës njeriu i Balilit, për të kopsitur letrat, për të rregulluar punët, apo për të fshirë gjurmët”, thotë Alibeaj.
Sipas tij, këto fakte jo vetëm dëshmojnë se Tahiri dhe Rama e dinin shumë mirë kush ishte Balilaj, por kishin vënë në dispozicion të tij gjithë infrastrukturën shtetërore. Për PD, në këtë mënyrë provohet edhe nëjherë se Saimir Tahiri është i përfshirë drejpërdrejtë në krim dhe në trafik droge.

















