Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndahet nga jeta regjisori i madh Piro Milkani

Ndahet nga jeta regjisori i madh Piro Milkani

Ka ndërruar jetë regjisori i shquar shqiptar, Piro Milkani. Lajmi u dha nga i biri i tij, Eno Mikani, përmes rrjeteve sociale, ku shkroi:

"Iku babai, shoku dhe kolegu im."

Piro Milkani ishte një prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, me një karrierë të gjatë dhe kontribut të jashtëzakonshëm në artin e regjisurës. Ai do të mbahet mend si një personalitet i dashur dhe i respektuar jo vetëm për talentin, por edhe për dashurinë dhe përkushtimin ndaj artit dhe familjes.

Filmografia e një kolosi të kinematografisë shqiptare, nga vitet 60-të dhe deri në amëshim

Filmografia e tij e shquar nis që në moshë të re, ku në Kinostudion shqiptare del filmi aq i dashur për artdashësit “Ngadhënjim mbi vdekjen”, më 1967. I pasura me “Përse bien këto daulle” dhe “Kur zbardhi një ditë”, (3 episode), më 1969 dhe 1971.

Një gjurmë të fortë Milkani do linte me dy prodhimet e radhës kinematografike, “Shtigje Lufte” më 1974 dhe komedia aq e bukur “Çifti i lumtur”, me kastën më të mirë të aktorëve shkodranë. Dhe ngjitja do të vijonte me dy seritë “Zonja nga qyteti” më 1976 dhe “Një shoqe nga fshati” më 1980, që kanë mbetur edhe sot në zemrat e shumë shqiptarëve dhe janë ndër filmat më të ndjekur komedi.

Pa harruar më tej “Besa e kuqe”, “Pranvera nuk erdhi vetëm”, për të finalizuar me “Ngjyrat e moshës” në kapërcim të dy epokave historike të vendit (1990), apo së fundmi “Trishtimi i zonjës Shnajder” pas viteve 90-të, ku filmografia e tij u pasurua edhe më shumë, pavarësisht tranzicionit të vendit.

Jeta dhe vepra e pasur e regjisorit

Piro Milkani lindi në Korçë më 9 dhjetor 1939. Pas mbarimit të shkollës së mesme në qytetin e tij, ai vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua si operator filmi. Gjatë viteve të studimeve, ai realizoi filmin e tij të diplomës, Nenavist (Mosmirënjohja), i cili shënoi fillimin e një karriere të suksesshme në kinematografi .

Pas kthimit në Shqipëri, Milkani filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e Re” si operator dhe më pas si regjisor. Ai ka realizuar mbi 20 filma artistikë.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kinematografinë shqiptare, Milkani është nderuar me tituj dhe çmime të shumta, përfshirë titullin “Artist i Popullit” (1987) dhe medaljen “Ambasador i Filmit Shqiptar” nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë ./L.F-dritare.net