Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vodafone & AST SpaceMobile, krijojnë kompaninë satelitore, për shërbim celular të drejtpërdrejtë në Europë

Vodafone & AST SpaceMobile, krijojnë kompaninë satelitore,

Një tjetër hap gjigant është ndërmarrë, për sovranitetin dixhital europian. Vodafone Group dhe AST SpaceMobile Inc. (NASDAQ: ASTS) shpallën zyrtarisht themelimin e kompanisë së përbashkët SatCo, me seli në Luksemburg – kompania e parë satelitore, novatore, që do të ofrojë shërbime celulare me bandë të gjerë, të drejtpërdrejt nga hapësira, përmes telefonave inteligjentë ekzistues.
Përmes kësaj nisme, Europa vendos veten në pararojë të teknologjisë direct-to-device, duke ofruar një zgjidhje unike dhe të integruar që plotëson rrjetet ekzistuese tokësore dhe garanton lidhje të qëndrueshme në çdo cep të territorit, në male, në det apo në zona të izoluara. SatCo synon të ofrojë lidhje të pandërprerë celulare për qytetarët, bizneset dhe institucionet publike në mbarë kontinentin.

Interes i gjerë nga operatorë europianë

Operatorë celularë nga 21 shtete anëtare të Bashkimit Europian dhe vende të tjera europiane kanë shprehur interes për shërbimin që SatCo do të ofrojë në mënyrë ekskluzive nëpërmjet një marrëveshjeje “turnkey”, duke nisur nga viti 2026. Kompania e re do të ndërtojë një rrjet të vogël stacionesh tokësore të lidhura me rrjetet 4G/5G të operatorëve ekzistues, duke krijuar një infrastrukturë hibride, që lejon kalimin automatik mes rrjetit satelitor dhe atij tokësor. Kjo do të mundësojë lidhje të sigurt, të qëndrueshme dhe të pandërprerë për përdoruesit, në çdo moment dhe në çdo vend.

Një kontribut për dekadën dixhitale europiane

Drejtoresha Ekzekutive e Vodafone Group, Margherita Della Valle, deklaroi: "Kjo është një nismë e rëndësishme për Europën. Shërbimi ynë do të sigurojë që të gjithë qytetarët, bizneset dhe qeveritë të kenë akses të pandërprerë në internetin celular me bandë të gjerë, në të gjithë kontinentin. Europa ka mundësinë të udhëheqë teknologjinë e re të lidhjes së drejtpërdrejtë përmes satelitëve."
Themelimi i SatCo u paralajmërua në mars të këtij viti nga Vodafone dhe AST SpaceMobile dhe përfaqëson një element kyç për përmbushjen e objektivave të Dekadës Dixhitale të BE 2030.

Luksemburgu, qendër strategjike për zhvillimin e industrisë satelitore europiane

Ministri i Ekonomisë, NVM-ve, Energjisë dhe Turizmit të Luksemburgut, z. Lex Delles, përshëndeti vendimin për vendosjen e selisë së SatCo në Luksemburg: "Ky projekt e forcon më tej rolin e Luksemburgut si një qendër strategjike për zgjidhje innovative, që shërbejnë në të gjithë tregun unik europian. I mirëpresim AST SpaceMobile dhe përgëzojmë vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm me Vodafone."
Ndërsa znj. Elisabeth Margue, Ministre Delegate pranë Kryeministrit për Median dhe Lidhjen Dixhitale, theksoi: "Sigurimi i mbulimit të plotë me lidhje mobile për të gjithë përdoruesit, në Luksemburg dhe më gjerë, është një objektiv kyç për qeverinë. Jemi të entuziazmuar për zgjerimin e ekosistemit tonë të lidhjes dixhitale përmes infrastrukturës së përbashkët tokësore dhe satelitore."

Një hap drejt pavarësisë dixhitale europiane

Themeluesi dhe CEO i AST SpaceMobile, Abel Avellan, theksoi: "Me selinë e SatCo në Luksemburg, ne po e forcojmë pozitën e Europës në shërbimet satelitore direkte për pajisjet celulare dhe po kontribuojmë në sovranitetin dixhital të rajonit. Së bashku, po ndërtojmë një infrastrukturë celulare të sigurt dhe elastike, që i përgjigjet nevojave të lidhjes së Europës – kudo dhe kurdo."
Me këtë bashkëpunim strategjik, Vodafone dhe AST SpaceMobile hapin një kapitull të ri për lidhjen dixhitale europiane, duke e bërë kontinentin më të përgatitur për sfidat e së ardhmes dhe më të bashkuar nëpërmjet teknologjisë./dritare.net