Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Alarm në Evropë/ Nxehtësia ekstreme dhe vrasësi i heshtur që po merr jetë

Alarm në Evropë/ Nxehtësia ekstreme dhe vrasësi i heshtur

Evropa po përballet sërish me një valë të fortë të të nxehtit që ka përfshirë disa vende, duke shkaktuar rreziqe serioze për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Temperaturat ekstreme, që në disa zona kanë kaluar 40 gradë celsius, janë pasojë e një fenomeni meteorologjik të quajtur “kupola e të nxehtësisë” (heat dome), e cila përforcon efektet e ngrohjes globale dhe sjell me vete pasoja të rënda.

“Kupola e të nxehtësisë” është një fenomen atmosferik ku një zonë presioni të lartë bllokon rrjedhjen e ajrit të freskët dhe krijon një "kapak" që mban nxehtësinë poshtë, duke bërë që temperaturat të rriten në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Kjo ndodh kur ajri i nxehtë ngrihet, por më pas kthehet mbrapsht për shkak të shtypjes së presionit të lartë, duke krijuar një efekt si “furrë” që vazhdon të nxehet dita-ditës.

Ky fenomen mund të zgjasë disa ditë apo javë, dhe përkeqësohet nga thatësira, urbanizimi dhe mungesa e gjelbërimit në qytete.

Valët e të nxehtit janë ndër katastrofat natyrore më vdekjeprurëse në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë valës së të nxehtit në Evropë në vitin 2022, u vlerësua se mbi 60,000 persona humbën jetën.

Autoritetet shëndetësore dhe meteorologjike në shumë shtete evropiane kanë dhënë alarme të kuqe dhe portokalli, duke i këshilluar qytetarët të shmangin daljet në orët e pikut (12:00 – 17:00), të qëndrojnë të hidratuar, të mbajnë ambientet e banimit të freskëta dhe të kujdesen për personat vulnerabël.

Ndërkohë, valët e të nxehtit po nxisin gjithashtu edhe rrezik të lartë për zjarre në pyje, siç po ndodh aktualisht në disa rajone të Greqisë, Spanjës dhe Italisë.

Sipas shkencëtarëve, ngjarjet ekstreme si këto pritet të bëhen më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike. Kupolat e të nxehtësisë janë një nga manifestimet më të qarta të një planeti që po ngrohet me ritme të rrezikshme.

Prandaj, ekspertët theksojnë nevojën urgjente për politika të qëndrueshme mjedisore, reduktimin e emetimeve të gazrave serrë dhe përshtatjen e infrastrukturës për të përballuar këto valë të nxehtësisë që, për fat të keq, nuk do të jenë më përjashtim, por normë./K.C/dritare.net